Në thuajse çdo lagje të Prishtinës, shihen automjete të braktisura që zënë hapësira publike. Sikur të mos mjaftonte mungesa e parkingjeve në kryeqytetin kosovar, këto makina, ia vështirësojnë akoma më shumë jetën qytetarëve.
Pronarët e automjeteve, i lënë ato të parkuara për kohë të gjata në trotuare ose hapësira të tjera publike, duke vështirësuar madje edhe kalimin e këmbësorëve. Drejtuesit e komunës së Prishtinës, thonë se janë mbi 1500 makina që nuk përdoren më dhe që kanë zaptuar hapësira publike. Ndërkohë që policia, duket se ka një plan që ti largojë së shpejti ato, në koordinim edhe me inspektoriatin komunal. Ndërkohë, banorët, thonë se me këtë problem, përballen prej vitesh.
Ismajli: Makinat e vjetra një ndër problemet më të mëdha
“Sigurisht që ka pengesa plot e përplot në parkingjet e Prishtinës, por kryesisht makinat e vjetra janë një ndër problemet më të mëdha që e bllokojnë parkingun për ata që banojnë në atë rreth apo në atë lagje. Nuk e di sa është përgjegjëse komuna por ata duhet të merren vesh me organet tjera dhe të përpiqen ti largojnë këto makina sepse ato përveç që zënë vend janë edhe të dëmshme sepse lirojnë gazrat që kanë mbet brenda në ato makina”
Gashi: Po ana pengojnë, janë që 5-6 muaj
“Po na pengojnë kerret po çka me bë, janë bukur moti qe 5-6 muaj”, u shpreh ai.
Banorët e kryeqytetit kosovar, e vuajnë jo pak mungesën e parkingjeve ndaj, prania e përhershme e këtyre makinave në ambiente publike, i penalizon akoma më shumë.
Top Channel