Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të zgjedhjeve në Prishtinë, ka përfunduar rinumërimi për vendvotimet në të cilat u konstatuan parregullsi.

Kjo i lë vend tani certifikimit të rezultateve që do të mundësonte edhe “formalizimin e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)”. Dy subjektet politike që dolën të parat në zgjedhje Lëvizja Vetëvendosja si parti fituese dhe LDK, që e pason atë me një diferencë të vogël, që nga përfundimi i zgjedhjeve me 6 tetor po diskutojnë ndërkohë në kuadër të grupeve punuese për harmonizimin e programeve për krijimin e qeverisë së re.

Të dy grupet thonë se tashmë mbi 80% e kanë harmonizuar programin qeverisës, ndërsa, zyrtarizimi i koalicionit dhe ndarja e posteve qeverisëse besohet se do të ndodhë pas takimit të dy liderëve të dy subjekteve politike, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës.

E ky takim u zhvillua të premten në mbrëmje, por, asnjë nga politikanët nuk tregoi detaje, nëse kanë rënë dakord për ndarjen e posteve qeveritare. LDK dhe Vetëvendosje kanë rënë dakord të ulin numrin e ministrive nga 21 në 12. Sipas kushtetutës një ministri do ti takojë pakicave.

Si sfidë të parë, qeveria e re, do të ketë dialogun e ndërprerë me Serbinë për të çka po këmbëngul shumë SHBA dhe BE. Për ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnet, qeveria e re duhet të ketë një qasje më aktive në raport me dialogun me Serbinë për arritjen e një marrëveshje finale.  Edhe shefja e zyrës së BE-së në Kosovë, Natalya Apostolova, thotë se është shumë i rëndësishëm rifillimi i dialogut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA