Sulmuesi i Interit, Romelu Lukaku ka pranuar që nuk ka pasur mendime të njëjta me trajnerin e Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer.
Sipas tij, tekniku norvegjez ka kërkuar që belgu të luaj si sulmues i krahut, transmeton KosovaPress.
Lukaku u transferua në Inter gjatë afatit veror për 73 milionë euro, duke u bërë lojtari më i shtrenjtë te “neurazurët”.
Ai ka thënë se në momentin kur Solskjaer ka kërkuar këtë gjë, atëherë aventura me “Djajtë e Kuq” kishte marrë fund.
“Sapo mësova që Solskjaer dëshironte që unë të luaj si sulmues i krahut, e dija që koha ime atje kishte marrë fund. Kam ëndërruar për Interin për një kohë të gjatë. E doja Ronaldon dhe Adrianon, por ishte Zlatan Ibrahimovic që më mësonte gjithçka. Besoj që do të rikthehet në Seria A”, deklaroi ai.
Lukaku gjithashtu i ka uruar fat argjentinasit Mauro Icardi, i cili u largua gjatë afatit veror në PSG.
“Kur u transferova, Mauro ishte shumë i mirë me mua. I uroj me të mirat me PSG-në dhe shpresoj të fitoj atje. Jemi dy sulmues të ndryshëm”, përfundoi ai.
Lukaku këtë sezon në kampionatin italian ka arritur të shënojë 10 gola.
Top Channel