Lazio me 5 “yje” ruan vendin e 3-të, fiton edhe Roma

24/11/2019 18:11

Lazio e këtij fillim sezoni është me 5 yje. Bardhekaltrit iu falën një goli në fund të ekuadorianit Felipe Caicedo për të mposhtur 2-1 Sassuolon brenda në Reggio Emilia dhe për të siguruar suksesin e 5-të rresht në Serie A.

Goli i 15-të sezonal i Ciro Immobiles i cili duket se nuk ka rivalë në listën e kryegolashënuesve i hapi rrugë fitores së kryeqytetasve, megjithatë në sekondat e fundit të pjesës së parë, vetëm 11 minuta pasi Immobile kishte kaluar Lazion përpara, Sassuolo reagoi me sulmuesi Caputo i cili mposhti Strakoshën për t’i çuar shifrat në 1-1.

Megjithatë në minutën e parë shtesë, Caicedo i ardhur në fushë nga stoli realizoi golin e fitores së 5-të rresht për Lazion që me këtë sukses ruajti vendin e 3-të tashmë në kuotën e 27 pikëve. U ngjit përkohësisht në vendin e 4-t Roma që kaloi pa vështirësi 3-0 Brescian e vendit të fundit në Olimpico duke u rikthyer te fitorja.

Golat për verdhekuqtë u realizuan nga dy qëndërmbrojtësit Smalling dhe Mancini ndërkohë që suksesi u vulos nga finalizimi i Edin Dzekos. Tjetër humbje për Fiorentinën e Vincenzo Montellas që tashmë rrezikon seriozisht shkarkimin.

As rikthimi i Ribery nga pezullimi nuk ndikoi pozitivisht te skuadra vjollcë që u mposht 1-0 nga Verona me një gol të Di Carmines. Titullar kapiteni i Kosovës Amir Rrahmani i cili bëri një paraqitje shumë të mirë ndërkohë që Marash Kumbulla vazhdon të jetë i dëmtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA