I plas arma në dorë duke e montuar, 21-vjeçari në gjendje të rëndë

24/11/2019 19:47

Një 21-vjeçar nga qyteti i Poliçanit është plagosur rëndë, gjatë montimit të një pushke me saçme, që e kishte improvizuar vetë.

21-vjeçari Aleksandër Shatro, ka qenë duke montuar armën, kur saçmja i ka plasur ndër duar e fytyrë, duke e plagosur rëndë. Ai është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit,por për shkak të dëmtimeve të shumta që ka marrë në fytyrë e trup,ai është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Burimet pranë Repartit të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit, konfirmojnë se, i plagosuri kishte pësuar djegie të shumta dhe dëmtime të rënda në fytyrë e kraharor dhe pas dhënies së ndihmës së parë mjekësore,është transportuar drejt Tiranës.

Burimet zyrtare të Policisë së Beratit konfirmojnë se,ngjarja ka qenë aksidentale. Sipas policisë,21-vjeçari e kishte ndërtuar në mënyrë artizanale vetë armën, tip pushkë me saçme dhe gjatë montimit të kësaj pushke pa leje, ajo i ka shpërthyer në dorë.

Top Channel