Ruçi: Ali Asllani, “dhuratë” e Vajzës, Labërisë dhe Vlorës për Shqipërinë

23/11/2019 14:28

Kryetari i Kuvendit, mori pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të shtetarit, diplomatit e poetit Ali Asllanit në Vajzë të Vlorës, vendlindjen e këtij personaliteti të shquar.

Busti i Ali Asllanit është realizuar nga Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami.

Në ceremoni ishin të pranishëm banorë të krahinës, përfaqësues të pushtetit vendor, deputetë, intelektualë dhe personalitete të njohur të artit, kulturës dhe politikës.

“Labëria ja nxjerrë burra të mendjes, penës dhe pushkës, shtetarë dhe administratorë, artistë e profesionistë, poetë dhe oratorë.

Por rrallë ndodh që në njeri të vetëm të gjenden bashkë të gjitha këto vlera e vyrtyte. Ali Asllani është njeri prej tyre.

Ali Asllani ishte një personalitet poliedrik, poet, artist, shtetar, administrator dhe diplomat i shquar.

Ai ishte një “dhuratë” e Vajzës, Labërisë dhe Vlorës për Shqipërinë.

Me veprimtarinë e tij si kryebashkiak e administrator Ali Asllani krijoi një model të shkëlqyer të funksionarit publik në shërbim të qytetarëve.

Me veprimtarinë diplomatike Ali Asllani krijoi modelin e diplomatit patriot në shërbim të interesave të larta të atdheut.

Me artin dhe poezinë e tij krijoi një udhëhartë për të ndërtuar një shoqëri me drejtësi sociale dhe një “Manual” për të bashkëpunuar me qytetarët, fisnikët dhe bujarët e këtij vendi, kundër zuzarëve, maskarenjve dhe shushunjave të korrupsionit.

Mesazhet e veprës së Ali Asllanit janë sot tepër aktuale.”, theksoi në fjalën e tij Kryetari i Kuvendit.

Top Channel