Në verë ishte blerja më e bujshme e Interit, ndërsa deri tani Romelu Lukaku po tregon se është I denjë për të zëvendësuar ish kapitenin Mauro Icardi, duke arritur të shënojë 9 gola në 12 javët e para të kampionatit.
Sulmuesi belg, që po shënon shumë edhe për kombëtaren e vendit të tij, dha një intervistë të gjatë për gazetën italiane “Gazetta Dello Sport”, ku ndër të tjera deklaroi se është i kënaqur me atë që ka dhënë deri tani dhe se ka ende marzh përmirësimi.
“Ka qenë një fillim shumë i mirë dhe deri tani kam bërë mirë, por e di që mund të bëj shumë të tepër, ndaj punoj vazhdimisht për t’u përmirësuar. Motivimi im më i madh është dëshira për të ndihmuar shokët e skuadrës që të fitojnë ndeshjet dhe këtë mund ta bëj vetëm duke shënuar shumë”, deklaroi Lukaku.
Goli më i bukur i belgut ka qenë ai i shënuar në transfertën e “Rigamonti”-t ndaj Brescias, por vetë sulmuesi zbulon se preferon shumë edhe atë në derbi ndaj Milanit, dhe pranoi se mbrojtjet në Itali janë vërtetë të vështira për t’u thyer.
“Goli me Brescian ishte padyshim nga më të bukurit që kam shënuar në karrierë, por mua më pëlqen shumë edhe ai që shënova në derbi. Vëllai im, Jordan më pati thënë që kampionatin italian është ai që vë në provë sulmuesit dhe deri tani po konfirmoj se këtu luajnë mbrojtës vërtetë të fortë, që nuk shpërqendrohen për asnjë moment. Shoh shumë ndeshje dhe sa herë që luaj, mësoj gjëra të reja në aspektin taktik, pasi e di se nëse një sulmues shënon shumë në Itali, mund ta bëjë këtë në të gjithë Europën”, deklaroi sulmuesi belg.
Antonio Conte ishte ai që e kërkoi Lukakun që kur drejtonte Chelsean në Londër, ndërsa këtë verë këmbënguli fort që ta merrte belgun në Milano dhe drejtuesit ia plotësuan dëshirën, ndërsa vetë sulmuesi duket se po justifikon më së miri besimin.
“Conte është një trajner që dëshiron të fitojë gjithmonë dhe të transmeton grintë e besim të madh para çdo takimi. I përgatit ndeshjet në mënyrë perfekte dhe në fushën e lojës nuk kapemi asnjëherë në befasi. Ai dhe Mourinho janë trajnerët më të mirë që kam pasur në karrierë. Përdorin sisteme të ndryshme loje, por kanë filozofi fituese. Edhe Jose jam i bindur që do bëjë shumë mirë te Tottenham”, tha sulmuesi zikaltër.
Romelu Lukaku është lojtari më i paguar te Interi, por në intervistën për gazetën italiane tregon se as kjo dhe as fakti që po zëvendëson një bomber si Icardi, nuk e kanë vënë aspak në pozita të vështira, Ai shtoi se është bërë tifoz me Interin, kur te zikaltrit luanin emra si Ronaldo dhe Adriano.
“Nuk ndihem në presion as nga paga dhe as nga fakti që kam marrë numrin që ka mbajtur Icardi, ndonëse e di që ai ka shënuar 124 gola, shifër kjo vërtetë e lartë. Jam, bërë tifoz i Interit që kur luante Ronaldo, ndërsa idhulli im ka qenë braziliani tjetër Adriano, që kishte një forcë të jashtëzakonshme. Tani dua edhe unë të shkruaj emrin tim në historinë e këtij klubi të madh”, u shpreh Romelu Lukaku.
Top Channel