Presidenti Trump skeptik për mbështetjen e projekt-ligjit pro demokracisë në Hong Kong

23/11/2019 16:20

Trump nuk duket i angazhuar për të nënshkruar projek-ligjin pro-demokracisë në Hong Kong.

Presidenti Donald Trump ende nuk e ka nënshkruar projekt-ligjin dy partiak që mbështet aktivistët pro-demokracisë në Hong Kong. Gjatë një interviste telefonike me kanalin televiziv ‘Fox News’ presidenti dukej se ishte i ndarë mes mbështetjes për të drejtat e njeriut dhe arritjes së një marrëveshje tregtare me Kinën.

Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë për disa çështje të tjera, presidenti Trumë u shpreh se :

“Do ta shqyrtojmë me hollësi projekt-ligjin.”

Projekt-ligji ka për qëllim të sigurojë që Hong Kongu të ruajë një autonomi të mjaftueshme për të justifikuar kushte të favorshme tregtare me Shtetet e Bashkuara. Projekt-ligji po ashtu kërcënon vendosjen e sanksioneve për shkelje të të drejtave të njeriut.

Projekt-ligji që mbështet aktivistët në Hong Kong u miratua njëzëri në Senat dhe mori vetëm një votë kundër në Dhomën e Përfaqësuesve. Nëse Presidenti i vë veton, ligjvënësit mund ta rrëzojnë veton e tij me dy të tretat e votave në të dy dhomat e Kongresit.

Ndërkohë, rreth 50 protestues vazhdojnë të jenë të ngujuar në Universitetin Politeknik të Hong Kongut të shtunën ndërsa policia e ka rrethuar ndërtesën prej shtatë ditësh në pritje që studentët të dorëzohen.

“Para së gjithash nuk e kuptoj se përse e kanë rrethuar kampusin. Do të jem këtu bashkë me protestuesit e tjerë deri në minutën e fundit, për të bërë atë që është e drejtë dhe mesazhi do të jetë i qartë se ne nuk do të dorëzohemi kurrë”, thotë një protestues në Universitetin Politeknik të Hong Kongut.

Protestuesit e bllokuar në kampusin e rrethuar me tulla dhe barrikada thonë se kanë nevojë për ndihmë përfshi ushqime dhe ujë.

Protestat kundër qeverisë në Hong Kong filluan në qershor duke kundërshtuar një projekt-propozim, tashmë të tërhequr, që do të lejonte ekstradimin e banorëve të Hong Kongut drejt Kinës. Protestat u tjetërsuan me shpejtësi në thirrje për demokraci më të gjerë dhe kundërshtim ndaj ndikimit kinez në rritje. Protestat gjithashtu u përhapën edhe tek universitetet lokale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA