Këshilli i bashkisë së Nju Jorkut organizoi një ceremoni festive për 107 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, ku u nderuan disa prej veprimtarëve të dalluar të qytetit.
Shqiptarët e Nju Jorkut janë krenarë që mund ta festojnë në Këshillin e Bashkisë ditën e tyre të Flamurit, thotë Zëri i Amerikës. Prej disa vjetësh, ata kanë në Këshill të zgjedhurin e tyre, Mark Gjonaj, i cili me këtë rast u kujtoi të gjithëve se sa shumë ka ecur komuniteti shqiptar i Nju Jorkut.
“Ju shërbeni në vijat e frontit në ushtrinë tonë, nëpër klasat me nxënës si njerëz të arsimit, si drejtues në tregjet tona financiare, si mjekë në sallat e emergjencës dhe në çdo profesion tjetër. Ju formoni bazën që e bën qytetin e Nju Jorkut kaq madhështor”, ka thënë Mark Gjonaj.
Në mesin e veprimtarëve të vlerësuar për ndihmesën e tyre në fusha të ndryshme, ishte dhe kapiteni i policisë së Nju Jorkut Lutfi Dalipi që me meritën e tij është ngritur në rangjet e larta të policisë së qytetit, si dhe Vasfije Krasniqi Goodman, një prej të mbijetuarave te përdhunimeve të luftës. Gooodman u dha 20 mijë grave të tjera në Kosovë që pësuan fatin e saj, një zë që ato nuk e kishin. Sali Bollati, një i mbijetuar i Çamërisë, u nderua gjithashtu si aktivist i komunitetit, bashkë me Frank Shkrelin, aktiv me shkrime dhe reflektime për shqiptarët dhe doktoreshën Ana Kohen. Në ceremoni foli edhe ambasadorja e Shqipërisë në SHBA, Floreta Luli Faber, e cila shprehu mirënjohje për Shtetet e Bashkuara dhe për komunitetin shqiptar të Amerikës.
Top Channel