Të paktën 28 të vrarë nga sulmi me dron në një treg në Sudan, mes tyre gra, fëmijë dhe të moshuar
Presidenti Donald Trump njoftoi të enjten se do të publikojë të dhëna mbi financat e tij përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020, duke shtuar se i takonte atij të vendoste mbi këtë çështje. Njoftimi vjen në një kohë që zoti Trump po përballet me padi e thirrje nga përfaqësues të politikës, për të publikuar të dhëna rreth taksave dhe informacione të tjera të lidhura me financat e tij.
“Unë jam i pastër dhe kur të publikoj deklaratat mbi financat e mia dikur përpara zgjedhjeve, do të tregoj vetëm një gjë, që jam shumë më i pasur nga sa mendonin njerëzit dhe kjo është një gjë e mirë”, shkruante zoti Trump në një postim në Twitter, por pa dhënë detaje mbi pretendimet e tij mbi pasurinë që disponon.
Presidenti Trump shkruante gjithashtu se hetimi dy vjeçar i ish-Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, që së fundmi çoi në dënimin e ish-këshilltarit të tij, Roger Stone, tregoi siç shkruante, se ai nuk kishte asnjë problem me financat.
Presidenti shkruante se zoti Mueller kishte kontrolluar gjithë situatën e tij financiare si dhe taksat e tij dhe se nuk kishte gjetur asgjë shqetësuese.
“Tashmë gjuetia e shtrigave po vazhdon në nivel lokal në Nju Jork me prokurorët demokratë që po kontrollojnë çdo marrëveshje financiare që unë kam bërë. Kjo nuk i ka ndodhur kurrë më parë me Presidentin. Ajo çka ata po bëjnë nuk është e ligjshme”, shkruante zoti Trump.
Donald Trump është kandidati i parë për president i një force të madhe politike që nga koha e Gerald Ford-it në 1976-n, që nuk publikon të dhëna rreth pagesës së taksave.
Ndërkohë, një gjykatë apeli në New York mori vendimin që firma e kontabilitetit e cila punon prej një kohe të gjatë me financat e zotit Trump, t’i dorëzojë prokurorëve të dhëna për tetë vjet pagesa të taksave nga ana e zotit Trump./VOA
Top Channel