Më 4 dhjetor organizohet marsh protestues me kërkesën “Veting në Arsimin e Lartë!”

22/11/2019 17:59

Disa organizata joqeveritare kanë njoftuar se më 4 dhjetor do të organizojnë një marsh protestues me kërkesën “Veting në Arsimin e Lartë!”.

Sipas njoftimit koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet (KITU), i përbërë nga Admovere; Demokracia për Zhvillim (D4D); Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS); Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED); Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA); Çohu; Qendra për Arsim e Kosovës (KEC); Qendra për Kurajo Politike (CPC), të shqetësuar për shkeljet e vazhdueshme si dhe mosgatishmërinë e institucioneve arsimore për ndërmarrjen e masave, organizon të mërkurën, më datë 4 dhjetor, marsh protestues me kërkesën “Veting në Arsimin e Lartë!”.

“Të vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin e etikës dhe integritetit akademik KITU është jashtëzakonisht e shqetësuar me vendimet e Këshillit të Etikës së UP-së, lidhur me denoncimet e partnerëve të koalicionit ADMOVERE dhe ORCA, me të cilat vendime amnistohet plagjiatura dhe mashtrimi akademik. Përgjigjet e Këshillit të Etikës se nuk kanë mandat e as mundësi profesionale për t’i shqyrtuar denoncimet janë të papranueshme për Koalicionin dhe si të tilla konsiderohen joetike. Si organizata të shoqërisë civile konsiderojmë se tashmë për dy vite me radhë i kemi shtjerrë të gjitha mjetet institucionale të adresimit të problemeve përmes raporteve, tryezave, kampanjave, takimeve e formave të tjera. Mungesa e seriozitetit nga ana e Universitetit na bën që tani të përdorim mjete tjera demokratike, prandaj më 4 dhjetor 2019 ftojmë të gjithë qytetarët, studentët, organizatat studentore, organizatat e shoqërisë civile që të bashkohen në marshin me kërkesat për krijimin e komisionit për verifikimin e plagjiaturave dhe krijimin e komisionit për verifikimin e titujve akademikë”, thuhet në njoftim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA