Irani nuk ofron të dhëna për lokacionin e padeklaruar bërthamor

22/11/2019 02:38

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore (IAEA), i ka kërkuar Iranit detaje për një lokacion të padeklaruar, ku janë gjetur gjurmë të uraniumit të pasuruar.

Teherani ka dështuar të ofrojë më shumë informacione. Çështja ka shtuar tensionet, të cilat u rriten pas veprimeve të Iranit në drejtim të shkeljes së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

“Është thelbësore që Irani të punojë me agjencinë për të zgjidhur menjëherë këtë çështje”, deklaroi kreu i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë Bërthmore, Cornel Feruta. Agjencia tha në një raport të bërë publik javën e kaluar, se inspektorët e saj kishin “zbuluar grimca të uraniumit në një vend në Iran që nuk ishte deklaruar më parë për agjencinë”.

“Ne kemi vazhduar bashkëveprimet tona me Iranin që atëherë, por nuk kemi marrë asnjë informacion shtesë dhe çështja mbetet e pazgjidhur”, tha Feruta. IAEA nuk e ka emëruar vendin në fjalë, por inspektorët besohet se kanë marrë mostra nga një vendndodhje në rrethin Turquzabad të Teheranit. Izraeli, në të kaluarën ka pretenduar se ekzistojnë veprimtari të fshehta iraniane në këtë vend.

Fshehja e këtij informacioni nga ana e Iranit, bëhet në kohën kur marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me fuqitë botërore kërcënon të prishet. Shtetet e Bashkuara, në maj të vitit të kaluar, u tërhoqën nga marrëveshja dhe filluan të rivendosin sanksionet ndëshkuese ndaj Teheranit. Nënshkruesit tjerë të marrëveshjes – Gjermania, Franca, Rusia, Kina dhe Britania e Madhe, kanë bërë përpjekje për ta shpëtuar atë.

Gjatë muajve të fundit, Irani ka shkelur disa pjesë të paktit, përmes të cilit ishte angazhuar të zvogëlojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA