Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me lirimin e dy emrave shumë të njohur si Florenc Çapja dhe Suel Çela, të cilët u liruan me vendim gjykate dje.

Në njoftim, policia shpreh zhgënjimin për vendimin e gjyqtarit Tomor Kullolli, i cili vendosi pushimin e çështjes “për një prej personave me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit, Florenc Çapja”.

Po dje, vijon reagimi i policisë “Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me gjyqtarë: kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë.

I kërkuari Marjus Lulaj (Suel Çela) më datë 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës”.

Policia e Shtetit duke i quajtur dy vendimet të paligjshme, thotë se ato i japin krah krimit dhe “synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi”.

  Incidenti me Audin/ Suel Çela shpallet i pafajshëm, Enea Bekteshi dhe Klement Xhaferri në burg

NJoftimi i policisë

Dje, më datë 20.11.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, konkretisht gjyqtari Tomor Kullolli ka vendosur të lirojë nga burgu një prej personave me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit.

Gjyqtari Kullolli ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, viti 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës F.M., me argumentin se nuk provohet se ai e ka kryer këtë vepër penale.

Sqarojmë opinionin publik se Florenc Çapja është arrestuar në datën 14.06.2019, gjatë operacionit policor “Krasta”, zhvilluar në Elbasan, pasi gjatë hetimeve të kryera nga Njësia Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar në provat e administruara në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan rezultoi se ishte autor i vrasjes së mbetur në tentativë të ish-punonjësit të Policisë, shtetasit F. D., ngjarje e ndodhur në vitin 2006.

Në lidhje me këtë ngjarje, pas kryerjes së disa veprimeve hetimore dhe procedurale në vitin 2007, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan ka vendosur pushimin e hetimeve në ngarkim të këtij shtetasi e pezullimin e hetimeve në lidhje me procedimin penal nr. 40, të vitit 2006 dhe aktet e këtij procedimi penal i kanë kaluar Drejtorisë së Policisë Elbasan, me qëllim zbulimin e autorit.

Në vitin 2018, oficerët e Njësisë Hetimore të Task Forcës Speciale, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, kanë nisur në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan një relacion, me qëllim rifillimin e hetimeve në lidhje me këtë çështje penale.

Mbi bazën e këtij relacioni, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka rifilluar hetimet në lidhje me këtë procedim penal.

Gjatë veprimeve hetimore të kryera në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, gjatë vitit 2018 dhe 2019, është bërë i mundur dokumentimi me prova ligjore i kësaj ngjarjeje dhe më pas Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për shtetasin e dyshuar si autor, Florenc Çapja.

Nga provat e administruara, pas kryerjes së një sërë veprimesh hetimore e proceduriale, pas analizës në bashkëpunim me Prokurorinë, është vendosur që ngjarja të marrë një tjetër kualifikim, nga “Vrasja me dashje mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.

Theksojmë faktin se shtetasi Florenc Çapja, i cili ishte i ndaluar gjatë operacionit “Krasta”, ka apeluar në dy raste masën e sigurimit, por përsëri Gjykata e Shkallës së parë Elbasan dhe Gjykata e Apelit Durrës kanë lënë në fuqi masën e sigurimit “Arrest në burg”.

Me komunikimin e akuzës shtetasit Florenc Çapja, Prokurori i çështjes i ka kërkuar Gjykatës kalimin e çështjes në gjykim, e cila është shqyrtuar nga gjyqtari Tomorr Kullolli.

Ai e ka mbajtur dosjen për rreth një muaj e gjysëm ne shqyrtim dhe dje në datën 20.11.2019, me shkurtimin e vendimit (13-2019- 6855) ka vendosur pushimin e çështjes penale nr. 40, vitit 2006, për veprat penale “Vrasja me paramendim mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, në ngarkim të të pandehurit Florenc Çapja, në dëm të viktimës F.M..

Sjellim në vëmendje faktin se shtetasi Florenc Çapja është i dyshuar si një nga drejtuesit e një grupi të rrezikshëm kriminal që vepron në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i arrestuar shumë herë për vepra të rënda penale, po që ka arritur të lirohet dhe t’i shpëtojë ndëshkimit në sajë të këtyre vendimeve arbitrare të organeve të drejtësisë, të paligjshme.

Ky vendim nuk është i formës së prerë, por gjithsesi ka bërë që ky individ me rrezikshmëri te lartë shoqërore të lirohet nga burgu dhe sot të jetë i lirë.

Po dje, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, me gjyqtarë: kryetar seance Klodian Kurtishi, anëtar Fran Prendi, anëtar Sandër Simoni, shpalli të pafajshëm të pandehurin Marjus Lulaj alias (Suel Çela), i cili gjatë gjithë kohës i është shmangur këtij hetimi dhe është hetuar dhe gjykuar në mungesë.

I kërkuari Marjus Lulaj (Suel Çela) më datë 10.09.2017, rreth orës 20:00, pranë derës së tregut agroushqimor në Kusarth, Elbasan, në bashkëpunim me shtetasit Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri tentoi të vrasë me anë të goditjes me makinë punonjësit e Policisë Shtetit që u gjendën në makinën e tyre në ushtrim të detyrës.

Në seancën e datës 04.11.2019, nga ana e Prokurorisë janë paraqitur konkluzionet përfundimtare, ku është bërë ndryshimi i akuzave për të pandehurit, Marjus Lulaj (Suel Çela) dhe është kërkuar dënimi i tij për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, dënim i parashikuar me 7 vjet burgim, por sot kjo trupë gjykuese ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

Ky shtetas është një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, drejtues i një grupi kriminal të rrezikshëm që operon në qarkun e Elbasanit, por edhe më gjerë, i hetuar dhe i arrestuar disa herë për një sërë veprash të rënda kriminale, por që dyshohet se me forma korruptive ka arritur të depërtojë në sistemin e drejtësisë dhe t’i shpëtojë ndëshkimit ligjor.

Aktualisht në ngarkim të shtetasit Marjus Lulaj (Suel Çela) është dhe një masë tjetër sigurimi personal, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së shkallës së parë Elbasan ka dërguar urdhrin e vendimit penal datë 11.06.2019, të Gjykatës Elbasan, e cila ka vendosur masën e sigurisë ”Arrest në burg”, për veprat penale ”Heqja e paligjshme e lirisë” dhe ”Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve”.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim dhe me partnerë ndërkombëtarë ka bërë një punë shumë të madhe dhe punonjësit e saj kanë sakrifikuar shumë për sigurimin e provave të shumta të këtij procesi.

Policia e Shtetit shpreh zhgënjimin e thellë për këto dy vendime të paligjshme, të cilat i japin krah krimit dhe synojnë të frenojnë punën e saj, por ajo është e vendosur për të luftuar pa kompromis krimin e organizuar dhe krimin në tërësi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese dhe partnerët, për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të cilitdo që shkel ligjin dhe fton aleatin e saj më të çmuar, qytetarët, që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112 çdo paligjshmëri, me qëllim ndërtimin e një mjedisi të sigurt e të qetë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA