Dhoma e Përfaqësuesve miraton projektligjet për të drejtat e Hong Kongut

21/11/2019 09:59

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar dy projektligje për të mbështetur protestuesit në Hong Kong dhe ka dërguar paralajmërim te Kina për të drejtat e njeriut.

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të nënshkruajë këto dokumente për t’i kthyer në ligje, pavarësisht bisedimeve të ndjeshme për tregti që po zhvillohen mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Dhoma e Përfaqësuesve ka dërguar projektligjet në Shtëpinë e Bardhë pasi Senati i ka miratuar ato në mënyrë unanime.

Këto masa, që kanë zemëruar Pekinin, i kanë kërkuar Departamentit amerikan të Shtetit të verifikojë të paktën një herë në vit nëse Hong Kongu vazhdon të ketë autonomi të mjaftueshme për t’u kualifikuar që të kryejë tregti me Shtetet e Bashkuara, të cilat i kanë ndihmuar të kthehet në qendër financiare botërore.

Projektligjet po ashtu parashohin sanksionimin e zyrtarëve që janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut në qytetin e udhëhequr nga Kina.

Qindra mijëra persona kanë protestuar në Hong Kong për më shumë se pesë muaj, ndonëse me raste ka shpërthyer dhuna dhe janë rritur shqetësimet se Pekini do të internevojë për të ndaluar këto organizime.

Protestuesit janë të zemëruar pasi shohin ndërhyrjen kineze në liritë e Hong Kongut, të premtuara ndaj këtij vendi kur Britania i ka dorëzuar Kinës këtë territor më 1997.

Hong Kongu, është pjesë e Kinës, mirëpo funksionon sipas organizimit “një shtet, dy sisteme”.

Presidenti Trump ka 10 ditë, duke përjashtuar të dielat për të nënshkruar projektligjet e Kongresit, përveç nëse vendos të përdorë veton.

Një person i afërt me këtë çështje ka thënë se presidenti synon të nënshkruajë projektligjet./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA