Sorollaten për më shumë se 5 vite për regjistrimin e pronës, pasi Kadastra i kishte informuar gabimisht se prona e tyre ishte regjistruar në emër të dikujt tjetër, komshiut të tyre.

Pas interesimit të Fiksit rezulton se Kadastra i kishte mashtruar për vite, sepse prona rezulton e lirë për të vijuar procedurat e regjistrimit.

Violeta Xhavara nga Durrësi, për arsye ekonomike në vitin 1993 nuk arriti të regjistronte banesën e saj pas privatizimit në hipotekë. Me bashkëshortin dhe djalin e sëmurë me probleme të shëndetit mendor, ajo nuk siguroi dot lekët për të paguar aktin noterial për të bërë të vlefshëm aktin privatizimit të banesës. Në vitin 2014 ajo paraqitet pranë hipotekës Durrës për të regjistruar banesën, por në një përgjigje zyrtare me shkrim, hipoteka e informon se kjo banesë, ku ajo jeton me familjen prej më shumë se 50 vjetësh, rezulton e regjistruar në emër të dikujt tjetër, që në realitet ishte komshiu i saj.

Djali i vogël i zonjës u ankua pranë zyrës së Kadastrës Durrës, dhe kërkoi një takim me drejtorin. Gjatë këtij takimi, me kamerën e Fiksit ai vërtetoi që kjo zyrë e kishte sorollatur edhe pse në bazë të dokumentacionit ishte shumë e qartë se prona ishte e tyre. Ish drejtori i Kadastrës Arjan Cengu, pasi i sheh dokumentet i thotë “Nga dokumentet që ti disponon vërtetohet se kjo është shtëpia juaj, problemi yt është shumë i thjeshtë, por duhet ta zgjidhesh më gjyq. Nëse mua do më vish për regjistrim unë nuk mund të zhbëj regjistrimin e parë, ndaj duhet t’i drejtohesh gjykatës”.

Qëndrimi i ish- drejtorit ndryshoi kur Fiks Fare u interesua zyrtarisht. Drejtori u interesua më shumë në verifikimin e dokumentacionit dhe u zbulua që faktikisht, prona nuk ishte e regjistruar në emër të dikujt tjetër, dhe se hipoteka i kishte informuar gabim për vite me radhë. Në përgjigjen me shkrim ish drejtori pretendon se qytetari duhet të shkojë pranë Entit Kombëtar të Banesave Durrës për të zyrtarizuar kontratën e shit-blerjes që më pas të vijojë me regjistrimin e pronës. “Si konkluzion rekomandojmë Znj. Violeta Xhavari t’i drejtohet Drejtorisë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave Durrës, me qëllim realizimin e Kontratës së Privatizimit të banesës së familjes Xhavari, në referim të Ligjit nr.7850, datë 29.07.1994, Neni 193, neni 196.” shprehet ish drejtori.

Por edhe ky rekomandim nuk ishte i saktë, pasi Enti Banesave në përgjigjen zyrtare për Fiksin thotë që këtë çështje e zgjidh Drejtoria e Strehimit pranë Bashkisë Durrës. Pas më shumë se 5 viteve sorollatje dhe i mashtruar “zyrtarisht” nga hipoteka për gjendjen juridike të pronës, qytetari mori një përgjigje të saktë se ku mund të drejtohet për të zgjidhur problemin e tij.Problem që mori një zgjidhje ligjore, vetëm pasi ai u ankua dhe Fiksi investigoi dhe verfikoi rastin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA