Kombet e Bashkuara i kanë kërkuar Teheranit të frenojë përdorimin forcës kundër demonstruesve dhe të rivendosë shërbimin e internetit.
Vendi është përfshirë nga protestat, të nxitura nga një rritje e çmimeve të benzinës, që kanë lënë dhjetëra njerëz të vdekur. Duke folur para gazetarëve në Gjenevë, zëdhënësi për të drejtat e njeriut i OKB-së, Rupert Colville, shprehu shqetësim të thellë për përdorimin e municioneve nga ana e Iranit gjatë përleshjeve me protestuesit dhe e quajti rritjen e numrit të viktimave si “shumë serioze”.
Zyrtarët iranianë kanë raportuar për vdekjen e 12 protestuesve dhe pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Iranit. Ata kanë thënë se më shumë se 600 njerëz janë arrestuar që nga nisja e protestave, në 15 nëntor, të cilat u nxitën nga njoftimi I qeverisë se ishte duke kufizuar blerjen e benzinës dhe shkurtimin e subvencioneve. Colville, i cituar nga REL, citoi raporte që tregonin se në fakt, të vrarët janë me dhjetëra.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi të tërhiqte në mënyrë të njëanshme SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015. Më parë, zëdhënësi i gjyqësorit në Iran, Gholamhossein Esmaili tha se “qetësia është rikthyer në vend”. Por, situata mbetet e paqartë kryesisht për shkak se autoritetet e kanë bllokuar internetin, e bashkë me të, edhe postimin e videove dhe komunikimin ne rrjetet sociale.
Irida Vasia
Top Channel