Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur gjatë natës në aksin rrugor Levan-Vlorë, ku gjatë një konflikti për përplasje të mjeteve mbeti aksidentalisht i plagosur më armë zjarri një 25 vjeçar.
Mbrëmjen e kaluar, në Spitalin Rajonal Vlorë ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi E. N., 25 vjeç, banues në fshatin Ferras, Fier.
Menjëherë pas veprimeve hetimore të kryera nga një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes ka rezultuar se në aksin rrugor pranë mbikalimit të Levanit janë përplasur automjetet Volskëagen Golf, me drejtues shtetasin E. B., e pasagjerë shtetasit E. Y. dhe Xh. T dhe Alfa Romeo, me drejtues shtetasin M. T. e pasagjerë shtetasit S. Q. dhe E. N.
Këta të fundit, në tentativë për t’u larguar me mjetin e tyre nga vendi i ngjarjes në drejtim të Vlorës janë ndjekur nga 3 shtetasit e tjerë me Volskëagen Golf dhe ka nisur konflikti midis tyre në mbikalimim e Novoselës, pranë një karburanti, ku si pasojë, duke qenë edhe nën efektin e pijeve alkoolike, dyshohet se shtetasi M. T. ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe aksidentalisht ka plagosur kunatin e tij shtetasin E. N., i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor, në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjes bëri dokumentimin e plotë të saj, duke arrestuar në flagrancë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”, “Kanosja”, “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasit:
-M. T., 41 vjeç, banues në Vlorë, S. Q., 20 vjeç dhe E. N., 25 vjeç, banues në Ferras, Fier.
Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë për “Moskallëzim Krimi” shtetasin E. K., 27 vjeç, banues në Zharrës, Fier, punonjës (roje) pranë karburantit ku ndodhi përplasja.
Materialet do t’i referohen Prokurorisë në ngarkim të tyre, për veprime të mëtejshme.
Top Channel