Video/ Bushi dhe Bogdani kujtojnë kur nisën karrierën: Së fundi Tirana po krenohet për shumë gjëra

18/11/2019 22:01

Kush është kampion i vërtetë është në çdo fushë, jo vetëm te ajo e gjelbër, por edhe në familje e komunitetin ku jeton.

Kjo është mëse e vërtetë për dy nga golashënuesit më të mirë të kombëtares sonë të futbollit, Alban Bushi dhe Erion Bogdani, të cilët bashkë me shokët e tyre vendosën që të kontribuojnë duke shtuar gjelbërimin e kryeqytetit. Bushi vlerëson ndryshimin që po pëson Tirana, me më shumë gjelbërim, parqe, kënde lojërash e ambiente sportive. “Së fundi Tirana po krenohet për shumë gjëra, me parqe lodrash, me mbjellje pemësh, me shumë e shumë gjëra të tjera.

Por, një nga gjërat kryesore që ka Tirana në këto momente është Parku i Liqenit. Jo vetëm që i jep shumë oksigjen Tiranës, sepse më parë nuk e kishim këtë lloj oksigjeni. Kemi parë si ishte Tirana më parë dhe se si është tani; por sa i përket anës sportive, këtu stërviten shumë njerëz, marrin oksigjen, stërviten edhe shumë fëmijë të vegjël.

Dikur edhe ne jemi stërvitur këtu, kur kemi qenë me të rinjtë e Tiranës. Nuk kishte shumë hapësira ose vraponim nëpër ato kodrat, ku edhe ndonjëherë mund të thyenim edhe këmbën. Kurse tani, shikoni sesi është, ka edhe pista për të bërë vrap. Mendoj që ta vazhdojmë këtë nismë, të mbjellim edhe më shumë pemë, jo vetëm ne sportistët, por të gjithë qytetarët e Tiranës”, tha Bushi.

Ndërsa Erion Bogdani i cili ishte dhe një nga të parët që hapi rrugën e futbollistëve shqiptarë në Seria A, shprehet: “Është një iniciativë shumë e bukur, një kënaqësi për mua, sepse është hera e parë që mbjell një pemë dhe faktikisht duhet të marrim sa më shumë këto iniciativa për arsye sepse sa më shumë pemë të ketë qyteti aq më bukuri i jep”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA