Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi tha në një bashkëbisedim me gazetarë se politika amerikane ka një vëmendje të re, të shtuar për Shqipërinë dhe rajonin në tërësi. pas vizitës së kësaj të fundit atje.
“Momenti kur unë ndava këtë situatë kritike me Kongresin, Senatin Amerikan dhe Departamentin e Shtetit, mendoj ishte momenti më i veçantë për mua.
Sapo jam kthyer nga kjo vizitë pune në SHBA dhe dua të ndaj me ju, me qytetarët me opinionin publik jo vetëm informacione mbi vizitën, por edhe vlerësime, çfarë ndamë jo vetëm me partnerët amerikanë por edhe shqiptarët që jetojnë atje ngriten me shqetësim në takimet tona.
Natyrisht që kriza e rëndë politike ishte në qendër të gjitha takimeve që unë pata në Kongres, Senat, në Departamentin e Shtetit, por edhe me komunitetin shqiptar të cilët tashmë e shikojnë më një sy mjaft shqetësues vendin dhe Atdheun e tyre.
Ajo që është e rëndësishme dhe dua ta theksoj, situata politike, e gjithë Shqipëria, është ka vëmendjen e Washingtonit dhe kjo na bën ne të jemi optimist dhe të kemi besim se padyshim situata në të cilën ndodhet Shqipëria dhe zgjidhja që do ofrohet nga partnerët do jetë në funksion të interesave të Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Ecja me rigorozitet në zbatimin e Reformës në Drejtësi, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjit, duke mos lejuar në asnjë moment kapjen e saj nga politika, është qëndrim i palëkundur që unë gjeta te të gjithë bashkëbiseduesit e mi amerikan”, tha Kryemadhi.
“Tashmë politika Amerikane ka një vëmendje të re, të shtuar e më të intensifikuar amerikane për Shqipërinë dhe rajonit në përgjithësi.
SHBA presin që Shqipëria të rimarrë rolin e saj si faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon, rol të cilin Shqipëria e ka luajtur më së miri në të shkuarën. Një tjetër lajm i mirë që dëshmon vëmendjen e madhe amerikane është dhe dëgjesa që do të bëhet shumë shpejt në Kongresin Amerikan për rajonin dhe Ballkanin.
Unë jam shumë e kënaqur që ndava me të gjithë bashkëbiseduesit e mi, që Shqipëria ka vetëm një të ardhme, Integrimin Europian.
Shqipëria si vend i NATO-s, mund ta përmbush procesin jetik të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke plotësuar të parin kusht mbi të gjitha kushtet e tjera, që është respektimi i demokracisë. Çdo lëkundje dhe tronditje, e vlerave themelore të demokracisë, ashtu sikurse po ndodh aktualisht në Shqipëri, është një largim nga ky objektiv madhor dhe ata që marrin përsipër të godasin themelet e demokracisë nuk e kanë integrimin Europian, objektivin e tyre, por u shërbejnë objektivave të kundërt me të.
Plotësimi i Gjykatës Kushtetutese edhe me anëtarin e gjashtë, që siguron funksionalitetin e plotë të saj është një proces që duhet mbyllur sa më parë dhe ne e mbështesim plotësisht atë. Një hap i rëndësishëm është hedhur me plotësimin e vakancave të realizuara deri tani, por nuk duhet humbur kohë për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese, pasi çështje të mëdha jetike për demokracinë presin gjykimin e saj.
Ngritja e Gjykatës Kushtetuese, është një garanci madhore në një sistem demokratik të brishtë si Shqipëria dhe është një motiv politik më shumë për opozitën e bashkuar dhe për kauzat që ajo ka ngritur por që nuk kanë marrë përgjigje.
Në takimet e shumta në Senatin dhe në Kongresin e SHBA, si dhe në Departamentin e Shtetit, krahas interesimit të tyre të jashtëzakonshëm unë pata mundësinë jo vetëm të ndaja shqetësimin për Krizën në Shqipëri por edhe të gjeja një vullnet dhe interesim të veçantë të niveleve më të larta të politikës amerikane për të ndihmuar në zgjidhjen e saj, dhe ky besoj është lajmi më i mirë që unë po u sjell shqiptarëve nga SHBA.
Njëkohësisht takimi që pata me komunitetin shqiptar në shtetin e Miçiganit në Detroit ishte një takim shumë i rëndësishëm ku shqiptarët ndjenin mungesën e komunimit me vendin dhe qeverinë e tyre duke filluar që me pajisjen e fëmijëve të lindur në SHBA me pashaporta shqiptare apo me rifreskimin e pashaportave shqiptare, mungesën me institucionet e shtetit shqiptar dhe ajo që i bënte shumë më të rëndësishme harresa nga shteti shqiptar. Ne nuk mund të kërkojmë investitorë Amerikanë kur nuk i japin shansin shqiptaro-amerikanëve për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri duke filluar me taksimin e dyfishtë dhe më pas duke iu munguar ajo që është shumë e rëndësishme hapja dhe mundësia e institucioneve shqiptare që ata të investojnë në Shqipëri. Monopolizimi dhe dhënia me koncesion apo dhe e oligarkëve të cilët kontrollojnë tregun në të gjitha drejtimet, i largon shqiptaro amerikanët për të investuar në Shqipëri.
Krijimi i një infrastrukture për investimin e shqiptaro-amerikanëve do i krijonte mundësinë e investimeve shumë të tjera amerikane në Shqipëri. Pra një nga shqetësimet më të mëdha që ata ngrenin ishte përkrahja nga shteti, nga qeveria e Atdheut të tyre për të ardhur dhe për të investuar në Shqipëri dhe mungesa e lehtësirave që ata të vinin sa më shpejt. Po kështu në takimin që patëm me shqiptarët ishte dhe ideja e një super brain ku shqiptarët e Amerikës mund të përfshihen në qeverisjen dhe në ndërtimin e një politike për kalimin e kolapsit ekonomik që po kalon Shqipëria, të cilin do ta ndjejmë shumë shpejt në vitin e ardhshëm për situatën në të cilën gjendet ekonomia shqiptare .
Aq më shumë kur Shqipëria sot më shumë se kurrë ka nevojë për përfshirjen e të gjithë atyre shqiptareve të cilët kanë pasur sukses jo vetëm në ekonominë amerikanë por dhe në sistemin e drejtësisë amerikanë të cilët mund të ishin përfshirë por u larguan në mënyrë të qëllimshme nga mazhoranca dhe Rilindja që ata mos të përfshiheshin në ngritjen e sistemit të drejtësisë apo edhe për tu përfshirë në zgjedhjet e shumë institucioneve të drejtësisë të pavarura. Pra ndarja e këtyre diskutimeve ishte një informacion i jashtëzakonshëm jo vetëm për mua por për të gjithë delegacionin. Ndarja e shumë shqetësimeve që ata kishin, mungesa e informacionit apo dhe harresa nga qeveria shqiptare”, tha ajo më tej.
Top Channel