Dhjetëra studentë protestues në Hong Kong tentuan të dilnin nga mjediset e universitetit ku gjenden të rrethuar nga forca policore për të dytën ditë radhazi.
Siç njofton nga Hong Kongu korrespondenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo, po shtohet shqetësimi se incidente të tilla mund të përfundojnë me përplasje të dhunshme:
Grupe studentësh vrapojnë përmes resë së gazit lotsjellës dhe shiut të plumbave prej gome, duke u përpjekur të thyejnë kordonin policor që të dalin nga mjediset e universitetit. Pjesa më e madhe kthehen pa sukses.
Kjo ishte përpjekja e dytë që organizuan studentët për të çarë rrethimin policor që vazhdon që të dielën mbrëma.
Zëri i Amerikës ishte në skenën e ngjarjes kur qindra protestues në Universitetin Politeknik dolën nga vendi ku ishin ngujuar pas barrikadës që ngritën gjatë javës së kaluar. Policia i ndoqi me gaz lotsjellës. Zona u përfshi në kaos.
Banorët lokalë shprehen të revoltuar pasi thonë se policia ka ndaluar qindra vetë duke ngritur akuza të sajuara lidhur me protestat.
“S’e besoj dot çfarë po ndodh në Hong Kong. Jemi qytet i civiluar por po shohim plot akte të pacivilizuara,” thotë një banor.
Protestat intensifikohen gjatë natës, kur ndizen edhe zjarre në mjediset e universitetit. Nuk është e qartë sa studentë mbeten të rrethuar apo nëse kanë armë e ushqime.
Hong Kongu po përjeton incidentet më të dhunshme që kur filluan protestat anti-qeveritare pesë muaj më parë. Ka shqetësime se rrethimi do të përfundojë me ndërhyrje të dhunshme.
Studentët u ngujuan në mjediset e universitetit në fillim të javës së kaluar duke sjellë mjete të improvizuara luftarake si shishe benzine e katapulte.
Studentët kërkojnë reforma demokratike në këtë territor gjysmë-autonom që Kina e konsideron pjesë të saj. Deri tani qeveria nuk ka pranuar të përmbushë kërkesat e protestuesve./VOA
Top Channel