Turbulenca politike për Gjykatën Kushtetuese pritet të intesfikohen në dimensione të paparashikueshme.
Paralajmërimi vjen nga zëdhënësi presidentit Ilir Meta, i cili thotë se kreu i shtetit do të kërkojë takim me të gjithë kryetarët e Partive që braktisën Kuvendin, për të diskutuar lidhur me situatën dramatike ku ndodhet vendi. “Do të ketë edhe të tjera inisiativa, vendime dhe takime shumë të rëndësishme” theksohet në njoftim. Po jo vetëm kaq, presidenca lajmëroi se do publikoje disa video me fakte përvëluese.
“Kjo VIDEO me prova të pakundërshtueshme, do zbulojë fytyrën e vërtetë të një individi të papërgjegjshëm, i cili guxoi në mënyrë të tmerrshme kriminale t’i përvetësojë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, që as noterja e nderuar znj. Miranda Xhemalçe nuk pranoi ta bënte, pasi e dinte shumë mirë se betimi me dorën mbi Kushtetutë bëhet vetëm në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe askund tjetër”.
Por kryeministri Edi Rama, preferoi mos ta intesifikonte përplasjen me Ilir Metën ish aleatin sot president për të cilin tha është vendosur anën e gabuar të historisë.
“Unë nuk dua që ne të përfshihemi në këtë konflikt si dy palë që japin e marrin bam e bum. Sepse gjithçka që ne mund të bënim nga ana jonë, ne e bëmë dhe përsëris e kemi bërë të linjëzuar 100% me ata që janë mbështetësit dhe garantët e Reformës në Drejtësi, partnerët tanë, SHBA-ja dhe BE-ja”, shprehet Rama.
Edi Rama u deklarua i pa shqetësuar për paralajmërimin e presidentit për shpërndarje parlamenti.
“Më kujton atë që ju kam thënë më parë, xhike Qamilin që thoshte sa të kem këtë e atë katund nuk pyes për Francën dhe Anglinë”, thotë kryeministri.
Në përplasjen Rama-Meta për kushtetuesen Lulzim Basha nuk bën aspak rolin e spektatorit duke kërkuar ndjekje penale për kryeministrin.
“Njësoj siç paracakton tenderat, paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa garë, ata që do Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet”, shprehet Basha.
Muhamed Veliu
Top Channel