Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor së bashku me Agjencinë Kadastrale të Kosovës kanë nënshkruar sot gjashtë udhëzime administrative, për të cilat u tha se do të avancohet në fushën e kadastrës dhe regjistrimit të pronës.

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi tha se me nënshkrimi i këtyre udhëzimeve shënon një progres të madh në ofrimin e shërbimeve kadastrale për qytetarët.

“Udhëzimet administrative të nënshkruara janë për ndarjen dhe regjistrimin e parcelës. Udhëzimi administrativ për matjet kadastrale për regjistrim në kadastër. Udhëzimi administrativ për ndarjen e ndërtesës dhe pjesëve të ndërtesës. Udhëzimi administrativ për ndarjen e zonave kadastrale. Udhëzimi administrativ për licencimin e kompanive gjeodete dhe të gjeodetëve, si dhe udhëzimi administrativ për tarifat dhe produktet e Agjencisë Kadastrale”, tha ai.

Këto udhëzime administrative sipas tij janë çështje të cilat janë rregulluar dhe të cilat do të kenë ndikim pozitiv dhe të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve.

“Me këto udhëzime janë standardizuar çmimet për produkte dhe shërbime të cilat i ofrojnë Zyrat Kadastrale Komunale dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës. Po ashtu janë harmonizuar edhe çmimet për produkte dhe shërbime ofruar nga gjeodetët e licencuar dhe kompanitë e licencuara gjeodete. Pra tani e tutje do të kemi unifikim të çmimeve kadastrale në tërë Kosovën. Janë rritur kriteret për licencim të gjeodetëve dhe kompanive gjeodete, paralel me to do të ngritët edhe kualiteti i shërbimeve ndaj qytetarëve. Secili gjeodet dhe secila kompani gjeodete ka të deleguar përgjegjësi shtetërore në fushën e kadastrës dhe gjeodezisë”, ka shtuar Matoshi.

Matoshi tha se u është ndaluar puna në terren për bashkim dhe për ndarje të parcelave zyrtarëve të Zyrave Kadastrale Komunale, me qëllim që të njëjtit të jenë më efikas në realizimin e kërkesave të palëve në zyrë.

Avni Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kadastrale të Kosovës tha se kanë nevojë për përkrahje politike përveç asaj financiare.

“ Gjatë këtij viti përveç projekteve kapitale, kemi finalizuar draftet edhe për dy projekt-ligje që rregullojnë fushën e kadastrit dhe administrimit të tokës. Si dhe kemi avancuar edhe në 11 akte nënligjore, gjashtë prej të cilave po nënshkruhen sot dhe kanë të bëjnë me fushën e kadastrit dhe gjeodezisë. I kemi edhe pesë të tjera të cilat mbulojnë fushën e regjistrit dhe sistemit të adresave, e që besoj do të nënshkruhen në ditët në vijim, pas përfundimit të procedurave ligjore. Gjithashtu jemi në fazën fillestare të avancimit të strategjisë dhe planit të biznesit të Agjencisë Katadastrale të Kosovës, gjithashtu kemi filluar edhe avancimin e doracakave dhe kornizave të punës që lidhen me aktivitetet kadastrale”, ka thënë ai.

Sipas tij, tash e tutje do të kërkohet rritje e efikasitetit në punë për drejtorët e kadastrit në komuna të Kosovës, dhe për gjeodetë të që siç tha ai, ka pasur edhe ankesa nga qytetarët. /Sh.Pajaziti/Kosovapress

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA