Platforma që Olsian Cela parashtroi para Këshillit të Lartë të Prokurorisë i bindi edhe ata që ishin në krahun e dy rivalëve të tij, se Cela meritonte të listohej në vendin e parë.
Përballë dy kandidateve të tjera, Olsian Cela mori 459 pikë, ndërsa prokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku mori 406 pikë, kurse Fatjona Memcaj 362 pikë.
Listimi në vend të parë i Olsian Celës, në vend të dytë i Arta Markut dhe në vend të tretë i Fatjona Memcajt u votua unanimisht nga Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Olsian Cela siç mësohet nga burime të sigurta e ka mësuar lajmin e renditjes në vend të parë në sallën e Gjykatës ku po përfaqësonte një çështje gjyqësore, ndërkohë që edhe dy rivalet e tij për këtë post gjendeshin në zyrë. Tashmë do të respektohet ligji që ka vendosur afat për pretendentët nëse ndonjëri prej tyre do ta kundërshtojë renditjen në Gjykatën e Apelit Administrativ.
Dhe vetëm pas këtij moment Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’a dorëzojë listën në parlament prej nga ku duhet që të votohet për prokurorin e përgjithshëm, i pari pas ndryshimeve të reformës në drejtësi që ka mandatin shtatë vjeçar.
Për shkak se në vend të parë është listuar prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Cela pritet që edhe Parlamenti t’a votojë për prokuror të përgjithshëm.
Anila Hoxha
Top Channel