Të kalosh fëmijërinë në institucionet e përkujdesit të shënjon jetën. Si vetë i ri i rritur në fshatin SOS, Alfred Muharremi sukseset e të ardhmes i lidh me të shkuarën.
“Duke qenë se kontributi në edukimin tim nga SOS ka qenë I jashtëzakonshëm mendova që së bashku me delegacionin e BE-së të iniciojmë një aktivitet që është ekspozita ‘Mbështet TALENTIN TIM’. Ishte cmimi për vullnetarizmin që e kam vënë në dobi të vëllezërve dhe motrave të mi”, thotë ai.
28 vjeçari ka bërë të mundur që të vegjlit e fshatit SOS, që ai i quan familje, të shfaqin talentin e tyre nëpërmjet kësaj ekspozite. Fëmijët SOS kanë përgatitur 42 piktura që janë në shitje, me synimin që të sensibilizojnë shoqërinë se vëmendja ndaj tyre nuk duhet të mungojë.
“Këta fëmijë duan të tregojnë nëpërmjet artit që kanë nevojë për mbështetje, dashuri si dhe kanë nevojë për përkujdesje”, vazhdon ai më tej.
Drejtoresha nacionale e fshatit SOS, Teura Shkenza është e emocionuar kur sheh arritjet e Alfred Muharremit dhe të rinjve të tjerë që janë rritur në komunitetin SOS.
Kristi Gongo
Top Channel