Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik

Në konferencën e titulluar “Luftojmë Korrupsionin dhe Krimin Ekonomik” u tha se “Shqipëria kontribuon aktivisht në organet monitoruese të Këshillit të Evropës, përfshirë Grupin e Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) dhe Komitetin e Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL), përsa i përket luftës kundër krimit ekonomik, korrupsionit, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”.

Konferenca diskutoi progresin e bërë dhe sfidat në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe GRECO e MONEYVAL. E mbajtur në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, konferenca mblodhi përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, trupit dipolomatik, institucioneve publike, universiteteve, shoqërisë civile, sektorit privat dhe medias.

Konferenca u hap nga Artan Hoxha, Dekani i Fakultetit Juridik në Tiranë i cili mirëpriti këtë konferencë në ambjentet e Universitetit. Gianluca Esposito, Kreu i Departamentit të Veprimit kundër Krimit të Organizuar në Këshillin e Evropës e njëkohësisht Sekretari Ekzekutiv i GRECO-s, vlerësoi bashkëpunimin e mirë me autoritetet shqiptare, duke i prezantuar pjesmarrësve kontributin e Këshillit të Evropës dhe BE-së në mbështetje të proceseve të reformave në vend ndërmarrë nga autoritetet shqiptare, përfshirë reformën në kodin elektoral, legjislacionin kundër pastrimit të parave, forcimin e sistemit të deklarimit të aseteve dhe pasurisë, procesimi dhe publikimi i aseteve të deklaruara nga zyrtarët publik, etj..

Kreu i Departamentit të ‘Shtetit të së Drejtës dhe Qeverisjes së Mirë’ në Delegacionin’ e BE-së në Shqipëri, Lenka Vitkova, theksoi rëndësinë e luftës kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave në procesin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe reformave në kuadër të integrimit evropian.
Pjesmarrësit u përshëndetën nga Ambasadorja Franceze në Shqipëri Christina Vasak dhe Kreu i Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë Jutta Gützkow. Gützkow tregoi për zbatimin e Veprimit kundër Krimit Ekonomik, si pjesë e Programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022” ku Këshilli i Evropës dhe BE luajnë një rol të rëndësishëm duke ndihmuar Shqipërinë në luftën kundër krimit ekonomik dhe pastrimit të parave.

Në këtë kuadër, Këshilli i Evropës gjithmonë ka ndjekur një qasje multidisiplinare tre-dimensionale, duke përcaktuar standardet evropiane bazuar në konventat ndërkombëtar dhe instrumenta të tjerë legalë, duke monitoruar përputhshmërinë e vendit me këto standarte nëpërmjet bashkëpunimit me GRECO dhe MONEYVAL, si dhe duke zbatuar programe bashkëpunimi për ngritjen e kapaciteteve.

Zëvendës Ministrija e Drejtësisë, Fjoralba Caka foli rreth kontributit të Shqipërisë për GRECO dhe MONEYVAL, në marrjen e masave të rëndësishme në luftën kundër krimit ekonomik, korrupsioni dhe pastrimit të parave.

Ky aktivitet, organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, në bashkëpunim me Ambasadën Franceze në Shqipëri, në kuadër të Presidencës Franceze të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, si dhe në partneritet me Ministrinë e Drejtësisë dhe Zyrën e Kryeministrit – shënon 70 Vjetorin e Këshillit të Evropës, vjen në kuadër të diskutimeve tematike organizuar në qytete të ndryshme, duke u fokusuar në fushat kyce të punës së Organizatës.

KONTEKST

– Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) u themelua në vitin 1999 nga Këshilli i Evropës me përmirësimi e kapaciteteve të vendeve anëtare për të luftuar korrupsionin duke monitoruar përputhshmërinë me standardet e Këshillit të Evropës kundër korrupsionit, nëpërmjet një procesi dinamik të vlerësimit të ndërsjelltë dhe presionit të të gjthë aktorëve. Ai ndihmon në identifikimin e mangësive në politikat kombëtare kundër korrupsionit, si dhe mbështetjen e reformave legjislative, institucionale dhe praktike. GRECO gjithashtu mundëson një platformë për ndarjen e praktikave më të mira në ndalimin dhe zbulimin e korrupsionit

– Komiteti i Ekspertëve mbi Vlerësimin e Masave kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (MONEYVAL) është një organ i përhershëm monitorues i Këshillit të Evropës që i është besuar vlerësimi i përputhshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, si dhe gjenerimi i rekomandimeve për autoritetet kombëtare në respekt të përmirësimit të sistemeve të tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA