Përdhunoi dhe torturoi deri në vdekje Marigona Osmanin, jepet dënimi përfundimtar për Dardan Krivaçën
Gjakova sot kremtoi një jubile të rëndësishëm të themelimit të mediumit të parë të saj të informimit, 40-vjetorin e punës dhe të veprimtarisë së Radio Gjakovës.
Për katër dekada të veprimtarisë së kësaj radioje, sot në Pallatin e Kulturës “Adim Vokshi” në Gjakovë u organizua një akademi solmene, ku u tha se radioja e këtij qyteti la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në informimin e drejtë dhe të gjithanshëm të qytetarëve, por edhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta kombëtare të kulturës, artit dhe muzikës.Në fund të viteve të 70-ta kur Gjakova po përjetonte një zhvillim të gjithanshëm, më 9 nëntor të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova. Drejtori aktual i Radio Gjakovës, Skënder Gola në fjalën e tij në këtë akademi tha se mediumi që drejton ka kaluar në shumë sfida. Ai përmendi korrikun e vitit 1990 kur pushteti i atëhershëm okupues serb i dëboi dhunshëm nga puna.Për 9 vitet pasuese, Radio-Gjakova nuk foli shqip. Punonjësit e saj u nxorën në rrugë nga pushtuesit serbë dhe popullsisë me rreth 98% shqiptarë iu imponua radio-program në gjuhën serbe. Megjithatë, më 14 qershor të vitit 1999, në ditën e çlirimit të Gjakovës nga okupimi serb, serish jehoi në eter fjala shqipe: “Ju flet Radio-Gjakova”. Për Golën, kjo ishte rilindja e dytë e Radio-Gjakovës.Gjithsesi, duke rikujtuar nisjen e punës së radios para 40 vitesh, Gola tha se ajo u cilësua si fitore për sistemin e informimit në Kosovë.
“Për katër dekada të veprimtarisë së saj, Radio Gjakova la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në informimin e drejt dhe të gjithanshëm të qytetarëve por edhe në kultivimin e vlerave të mirëfillta kombëtare të kulturës, artit dhe muzikës. Në fund të viteve të 70-ta kur Gjakova po përjetonte një zhvillim të gjithanshëm, mozaikut të strukturës së institucioneve, iu shtua edhe një segment i rëndësishëm i informimit dhe kulturës. Pikërisht tash e 40 vite më parë, në ditën e sotme të nëntorin të vitit 1979, për herë të parë në historikun e Gjakovës nisi punën Radio Gjakova, dhe u dëgjua në etër ‘Ju flet Radio Gjakova’. Ishte kjo një fitore jo vetëm për Gjakovën dhe rrethinën e saj, por edhe një hallkë e re në vargun e radio-stacioneve lokale, që rrumbullakonte sistemin e informimit gjithëpërfshirës në Kosovë”, tha ai.Në dekadën e katërt të punës, synimet ambicioze të redaksisë së këtij mediumi janë që Radio Gjakovën ta shndërrojmë edhe në qendër televizive, por në mungesë të bazës së nevojshme materiale, u tha se synimet mbetet të presin ditë më të mira.Në mungesë të kryetarit të Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në emër të Kuvendit Komunal uroi drejtoresha e Kulturës, Saranda Hyseni, e cila tha se radio edhe pse ishte sfiduar në këto 40 vite nuk e ka tradhtuar misionin dhe dëgjuesin e saj besnik. Ajo tha se Radio Gjakova është simbol i këtij qyteti dhe një vlerë të shtuar për komunën. Hyseni uroi që zëri i kësaj radioje të dëgjohet në tërë vendin dhe jo në rajonin e Gjakovës.
“Uroj dhe besoj që Radio Gjakova të mos jetë vetëm në këto valë, të mos ketë vetëm këtë shtrirje territorial që ka, por shtrirja e saj e dëgjueshmërisë të jetë edhe më e gjerë, sepse e meriton. Gjithmonë e kemi dëgjuar zëra të bukur e nuk meritojmë vetëm ne, por këta zëra të bukur të dëgjohen edhe më tutje sesa në territorin e komunës së Gjakovës”, tha Hyseni.Në fund të kësaj akademie, Radio Gjakova nderoi të gjithë punonjësit e saj, ndërsa në skenën e pallatit të kulturës u panë edhe punëtorët e parë të cilët kishin nisur punën para 40 vitesh, një pjesë e të cilëve tashmë edhe në pension, raporton KosovaPress.
Top Channel