Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij në konferencën që po zhvillohet në Romë, ku i pranishëm është edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi.
“Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithçka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale”, tha ai.
Rocca tha më tej se edhe transferimi nga ‘Al Hol’ në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit tanë ishin të frikësuar, edhe garancia që kishte për kalimin nga një zonë në tjetrën.
“Në Damask e kam pritur unë. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin, por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona. Falë vullnetarëve kurdë u bë e mundur që Alvini të shpëtojë.
Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithçka që ishte e re për atë. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetim që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi” tha ai.
Kthimi i Alvinit në shtëpi/ Lleshaj nga Roma: Terrorizmi nuk ka vend në shoqërinë tonë
Top Channel