Në lagjen “Çlirim” në qytetin e Beratit, uji është i ndotur, me erë të keqe dhe nuk mund të përdoret. Prej disa muajsh banorët ankohen se uji që rrjedh në rubinetat e çezmave të tyre është tepër i ndotur dhe nuk përdoret as për të larë rrobat.
Kjo lagje furnizohet vetëm me 2 orë ujë në ditë, ndërkohë që banorët ankohen edhe për erën e keqe të ujit që rrjedh në çezmat e tyre. Uji i ndotur dhe furnizimi i pakët, ka detyruar banorët të shtojnë depot e ujit në çdo kat të pallateve por ujin e rezervuarve nuk mund ta përdorin për të pirë por veçse për shërbime komunale.
E gjithë kjo situatë ka shkaktuar pakënaqësi tek banorët e lagjes “Çlirim”, të cilët shprehen se, uji që rrjedh në çezmat e tyre është i ndotur dhe vjen era fekale. Banorët pohojnë se, uji është i papijshëm dhe ata mund ta përdorin vetëm për të larë e për shërbime komunale, ndërkohë që ata deklarojnë se janë shumë korrekt në detyrimet ndaj shtetit për pagesat e faturave të ujit. Banorët shprehen se, kjo situatë për ta është e papërballueshme. Ata pohojnë se, për shkak të prurjes shumë të pakët të ujit që rrjedh në çezmat e tyre, ata nuk mund ta përdorin këtë ujë për të pirë dhe janë të detyruar që ujin e pijshëm ta blejnë në dyqan.
Në lidhje me këtë situatë të krijuar, burime pranë Drejtorisë së sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat-Kuçovë bëjnë me dije jashtë kamerave se ,gjithçka ka ardhur si pasojë e prurjeve tepër të pakëta të vendburimit të Bogovës, si pasojë e thatësirës së tejzgjatur. Të njëjtat burime deklarojnë se, në këtë lagje rrjeti është tejet i amortizuar dhe kjo shkakton edhe ndotjen e ujit të pijshëm. Sipas tyre, kjo gjendje do të vazhdojë deri në përfundim të investimit që po kryhet në zonë nga KFW për zëvendësimin e të gjithë rrjetit.
Mimoza Sinanaj
Top Channel