Kontrata për ndërtimin me koncesion të rrugës Milot-Balldre u miratua në Kuvend pak javë më parë, por burime i thanë Top Channel se kjo kontratë do shkojë drejt anulimit të saj.
Arsyeja është se kontraktori nuk ka arritur të gjejë financimet për ndërtimin e rrugës, për të nisur punën është kërkuar të jepen kredi nga bankat duke paraqitur edhe kontratën e miratuar nga Kuvendi, por bankat janë treguar dyshuese në këtë drejtim. Ky qëndrim vjen edhe pas një klime aspak pozitive në lidhje me këtë koncesion të rrugëve. Një vit më parë u zgjodh me garë kompania që do të ndërtonte këtë rrugë. Ajo ishte kompania ANK, me pronar të vetëm Agim Kolën, si fituesen e koncesionit me vlerë 161.5 milionë euro, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Milot-Balldren. Pas përfundimit të tenderit, Ministria e Energjisë dhe kompania negocioi kontratën e cila kaloi në votim edhe në Kuvend
Sipas kontratës, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet. Fillimisht, kostoja e rrugës Milot-Balldren ishte parashikuar 50% më e ulët por, 7 muaj më vonë kostoja e rrugës u rrit në 161.5 milionë euro. Sipas ministrisë, arsyeja ishte ndryshimi i projektit të kësaj vepre, ku u përfshinë dhe ndërtimi i rrugëve dalëse dytësore. Milot-Balldren është vepra e tretë e paketës 1 miliard euro, e lindur si një koncesion i pakërkuar, pra jo si projekt i qeverisë, por i propozuar nga vetë kompania ANK. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit.
Top Channel