Në tre shkolla të Kamzës “Nënë Tereza”, “Demokracia” dhe “Korb Muça”  mësueset e klasave të para dhe një mësues i klasës së pestë , kanë përcaktuar në listën që ju kanë dhënë nxënësve edhe librarinë ku duhet t’i blejnë mjetet mësimore,  e cila quhet librari “Fabler” në Kamëz.

Bashkëpunëtorët e Fiksit takuan njërën prej mësueseve të klasave të para  në   shkollën 9 vjeçare  “Nënë Tereza” zj. Liljana Prendi , e cila ju tregoi bashkëpunëtorëve ku ndodhej libraria, dhe se vetë ajo ju kishte dhënë një rekomandim nxënësve që t’i blinin mjetet aty. Ajo u tregon bashkëpunëtorëve të Fiksit se fletoret që merren aty janë dhe me ofertë.

Pas kësaj verifikimi vazhdoi edhe në librarinë që të orientonin mësueset , ku pyetën për çmimin e mjeteve që ishin shkruar në listë, ku në total kapte shifrën prej 45 mijë lekë të vjetra. Ndërkohë që në një librari tjetër vetëm pak metra më tutje e njëjta listë shkonte deri në 20 mijë lekë të vjetra.

Pas këtyre fakteve gazetarët e Fiksit shkuan në të treja shkollat, drejtuesit e të cilave përgjigjen të gjithë në të njëjtën mënyrë, duke marrë përsipër që mësuesit t’i nxjerrin para këshillit të disiplinës për të marrë masa për ta.

Mësuesja e klasës së parë në shkollën 9 vjeçare “Demokracia” Vjollca Nazeraj  pranoi se ka shpërndarë një listë ku përcaktohej dhe libraria por sipas saj , listën ja dha një kolege. Debati mes saj dhe drejtorit të shkollës u bë në prezencën e gazetarëve, ku drejtori i thoshte se ke bërë shumë gabim që ke shpërndarë listë , e ndërkohë mësuesja mbrohej me idenë se nuk e dinte se po bënte gabim.

Në shkollën 9 vjeçare “Korb Muca”, mësuesi i klasës së pestë që ka shpërndarë listën e mjeteve me librarinë e përcaktuar, mohoi ta ketë bërë këtë gjë, ndërkohë drejtori i shkollës tha se do e verifikonte dhe nëse kjo gjë ka ndodhur do të mblidhet menjëherë këshilli i disiplinës.

Drejtori i shkollës 9 vjeçare “Nënë Tereza”, shkollë në të cilën dy mësueset e klasave të para kishin shpërndarë listat, tha për Fiksin se kjo është absolutisht shkelje dhe se kjo gjë nuk duhet të ndodhë. Ai tha se do ngrejë menjëherë këshillin e disiplinës për rastin dhe do merret masë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA