Kosova për herë të parë është mikëpritëse e konferencës së Këshillit Ndërkombëtar për Rrjetet e Mëdha Elektrike(CIGRE), me qëllim të shkëmbimit të përvojave në ekspertizën e sistemit elektro-energjetik në vendin tonë.
Me këtë rast u kërkua që Kosova të bëjë ndryshime, sidomos në instalimin e gypave të gazit për përmirësimin e ambientit dhe uljen e konsumit të energjisë së përgjithshme.
Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka duke folur për sistemin energjetik në vend, tha se Kosova ka përparuar në aspektin legjislativ, por ka ende sfida, sidomos në efiçiencën e energjisë. Sipas tij, lidhja e Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me gaz do të jenë projektet e dekadës së ardhshme.
“E ardhmja e energjisë do të fokusohet shumë karshi instalimit të gypave të gazit. Lidhja jonë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut me gaz do të jenë projektet e dekadës që po vijnë. Unë mendoj që kjo na ndihmon gjithashtu se me pas një miks të energjisë në vend. Sepse ky gaz, përdorimi kryesor në vend do të ketë në krijimin e ngrohtoreve qendrore në komunat ku nuk kemi ngrohtore qendrore. Nga shtatë komunat kemi ngrohtore vetëm në dy prej tyre. Kurse pesë tjera konsumin kryesor gjatë dimrit e kanë ose thëngjillin ose energjinë elektrike. Ndryshimi i instalimi i ngrohtoreve qendrore ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e ambientit dhe uljen e konsumin e të energjisë së përgjithshme duke e mundësuar më lehtë direktivat e BE-së. Pra, Kosova është e vendosur të bëjë ndryshime”, tha Lluka.
Pjesë e kësaj konference, përveç shumë ekspertëve energjetik evropian, ishte dhe sekretari i përgjithshëm i CIGRE, Philippe Adam, i cili tregoi qëllimin dhe vlerat e CIGRE në botë.
“Qëllimi është që të përparohet angazhimi dhe njohurit në mes të profesionistëve të sistemeve të energjisë në rrafshin global. Kemi vlera në CIGRE, të cilat janë paanshmëria, transparenca, bërja e dallimeve, avancimi. Pra, duam të jemi të parët në të ardhmen në këtë industri, bazuar në bashkëpunim integritet dhe përshtatshmëri ndaj mjediseve të ndryshimeve në sektorin e energjisë tani”, tha Adam.
Kryesuesi i Qendrës Energjetike për Hulumtime të Evropës Juglindore(SEERC), Klemens Reich foli për energjinë e ripërtërirë, teksa tha se fleksibiliteti dhe depozitimi është shumë i rëndësishëm për rritjen e shkëmbimit të saj.
“Dëgjuam se ju do të investoni shumë në energji të ripërtërirë në rrjetin tuaj. Pra, fleksibiliteti dhe depozitimi është shumë i rëndësishëm për rritjen e shkëmbimit të energjisë së ripërtërirë. Kemi një projekt që ka të bëjë me fleksibilitetin në rrjet, por nuk është pranë ndërprerjes së energjisë, por ne shtyjmë një megavat për një bateri nëse është e domosdoshme për rrjetin tonë, për stabilizimin e frekuencave nëse kemi problem në rrjet”, u shpreh ai.
CIGRE është institucion i përhershëm profesional ndërkombëtar, i themeluar në vitin 1921, i dedikuar për zhvillimin e sektorit të furnizimit me energji elektrike dhe nxitjen e bashkëpunimit me ekspertë të fushës nga e gjithë bota. CIGRE është e strukturuar si forumi më i madh botëror dhe aktivitetet kryesore i zhvillon ne kuadër të 16 komiteteve të ndryshme studimore, të cilat mbikëqyren nga një komitet teknik.
Top Channel