Rreth 17 mijë persona kanë aplikuar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore për të përfituar nga ligji “për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”.
Drejtori i Përgjithshëm i Institutit të Statistikave, Astrit Hado theksoi në një intervistë për ATSH-në se ka hyrë në fuqi ligji për trajtimin suplementar për tre profesionet e vështira.
“ISSH ka filluar që nga 1 shtatori i këtij viti të pranojë kërkesat e qytetarëve që janë në dy grupe, pensionistët aktualë dhe ata të cilët nuk kanë dalë në pension, por kanë mbushur moshën 55 vjeç dhe kanë plotësuar kriteret e ligjit”, theksoi Hado për ATSH.
Hado bëri të ditur se ka filluar njëkohësisht edhe procesi i verifikimit të vjetërsisë në punë, i cili vuri në dukje ai, është i vështirë.
“Përderisa janë përfitime që jepen për një profesion të caktuar, duhen kryer verifikime në mënyrë që të shmangim çdo lloj pasaktësie dhe abuzimi”, deklaroi Hado.
Kreu i ISSH-së, bëri të ditur për ATSH se buxheti i shtetit e ka transferuar në llogarinë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore pagesën prej 1.4 miliard lekësh që llogariten për këtë vit.
“Janë diku te 17 mijë individë që kanë bërë kërkesa pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore për pensionin suplementar për tre profesionet, minatorët nën tokë, metalurgët dhe naftëtarët”, bëri të ditur ai.
Përfitues, sipas këtij ligji, janë personat në profesione e punë, në miniera në nëntokë, në industrinë e naftës e të gazit dhe në metalurgji, që u njihet vjetërsia në punë dhe periudha e sigurimit.ATSH
Top Channel