Nikos Dendias, ministër i Jashtëm i Greqisë, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Moskë ku është takuar edhe me homologun Sergey Lavrov.
Formimi i Qeverisë së re në Greqi, tha Lavrov gjatë takimit me Dendias, ka hapur mundësi të reja për të forcuar marrëdhëniet midis Moskës dhe Athinës.
“Agjenda jonë e marrëdhënieve është mjaft e pasur, lidhjet po evoluojnë në të gjitha fushat, nga ekonomia deri te bashkëpunimi humanitar. Pasi qeveria juaj erdhi në pushtet, u krijuan mundësi të reja për ne që të konsiderojmë të gjithë kompleksin e marrëdhënieve tona dhe të biem dakord për mënyrat për t’i forcuar ato”, theksoi kreu i diplomacisë ruse.
Edhe kryediplomati grek u shpreh i gatshëm për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë.
Kjo përpjekje për të forcuar marrëdhëniet tona ka një objektiv të dyfishtë, tha Dendias, të promovojmë lidhjet tona dypalëshe në një gamë të gjerë çështjesh të bazuara në kushtet ekzistuese, nga njëra anë, dhe të nxisim një bashkëpunim më të ngushtë dhe mirëkuptim të ndërsjellë të çështjeve ndërkombëtare dhe rajonale.
Marrëdhëniet Greqi-Rusi u tensionuan vitin e fundit të ish-qeverisë së Aleksis Tsipras, pasi Athina akuzoi Moskën se po punonte kundër Marrëveshjes së Prespës, që zgjidhi konfliktin shumëvjeçar me Maqedoninë e Veriut për çështjen e emrit, dhe i hapi rrugë anëtarësimit në NATO.
Top Channel