Komisioni i ekonomisë rrëzoi projekt ligjin e propozuar nga deputeti socialist, Ilir Beqja, i cili falte gjobat që AKU kishte vendosur në korrik dhe gusht të këtij viti për bizneset në sektorin e ushqimit që nuk kishin marrë licensat e posaçme për ushtrimin e aktivitetit.
Ilir Beqja tha se bizneset kanë qenë të painformuar për detyrimin e pajisjes me këto leje të veçanta, ndërkohë që ligji në fuqi operonte prej së paku 10 vitesh.
Komisioni i ekonomisë vlerësoi se një ligj i tillë prish parimet kushtetuese të barazisë dhe mos diskriminimit, ndërsa mos njohja e ligjit nuk përbën shkak për t’u mos penalizuar.
Edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë u shprehën kundër faljes së gjobave.
Nga janari deri në shtator ka vendosur 79 gjoba ndaj bizneseve për mos pajisje me licensë të posaçme për ushtrimin e aktivitetit. Vlera minimale e gjobës nis nga 1 milionë lekë. Bëhet fjalë për subjekte që kanë aktivitet kryesor shitjen me shumicë të prodhimeve shtazore.
Ndërkohë aksioni i AKU ka zbuluar indirekt një tjetër fakt të rëndësishëm, plot 1450 subjekte kanë qenë pa këtë lloj lejeje, pasi sapo u njoftua për kontrollet kanë aplikuar pranë autoriteteve për tu licensuar.
Top Channel