Ambasadorët e vendeve Evropiane i kanë bërë presion të vazhdueshëm Shqipërisë për të pastruar vendin nga kanabizimi. Veçanërisht, ishte Italia që e kërkonte një gjë të tillë, pasi kanabisi që prodhohej në vendin tonë eksportohej drejt Italisë dhe Greqisë.
Por ajo që bie në sy ishte fakti se shteti fqinj përshëndeste aksionin e policisë shqiptare, por ndërkohë në shtator të po këtij viti, Italia i hapi dritën jeshile kanabisit për qëllime mjekësore.
Dhe kjo nuk ndodh vetëm në Itali. Që prej vitit 2003, me recetë, mund të blesh në farmacitë holandeze kanabis mjekësor natyral, ose të përpunuar. Holanda është vendi që zotëron të vetmen fabrikë në Europë, Bedrocan, e aftë të prodhojë kanabis të analizuar dhe të certifikuar në katër varietete sipas sasisë së molekulës THC, molekula bazë e kanabisit.
Në Holandë, shpërndarja në treg e kësaj substance kontrollohet nga ministria e shëndetësisë, e cila i ka dhënë licencë vetëm fabrikës Bedrocan.
Në vitin 2008 Gjermania autorizoi kanabisin mjekësor vetëm me recetë mjeku. Por recetat u dhanë vetëm për 7 pacientë gjithsej në të gjithë Gjermaninë.
Tri ilaçe kanabisi u autorizuan, i pari Savitex, por dhe drobaniboli dhe nabiloni. Nga këta të tre, vetëm Savitex që shërben në rastet e sklerozës së shumëfishtë, u rimbursohet pacientëve nga sigurimet sociale gjermane.
Përballë një çmimi shumë të lartë që duhet të marrë përsipër buxheti publik për të rimbursuar ilaçet e shtrenjta me bazë kanabisi, Gjermania ndryshoi legjislacionin e saj më 2012- ën dhe u lejoi pacientëve që të blejnë në farmaci kanabis bruto meqenëse kushton më lirë se kanabisi-ilaç.
Në 22 korrik 2014 Gjermania shkoi dhe më larg kur drejtësia, për herë të parë, u lejoi tre pacientëve që të kenë mundësi që ta kultivojnë vetë kanabisin në shtëpitë e tyre për përdorim mjekësor me një autorizim të posaçëm nga zyra federale e narkotikëve.
Edhe Spanja e ka lehtësuar shumë legjislacionin e saj kundrejt kanabisit gjatë viteve 2000. Shitja e kanabisit si drogë përbën vepër penale. Por konsumi i kanabisit për arsye mjekësore nuk është i ndalur. Bima e kanabisit mund të kultivohet për këtë qëllim në shtëpi ose nëpërmjet shoqatave apo klubeve të specializuara.
Janë dhe një seri vendesh të tjera që i kanë hapur rrugën kanabisit mjekësor qoftë duke e importuar qoftë duke e prodhuar vetë. Deri më tani, 13 vende të BE-së kanë legalizuar përdorimin e marijuanës për qëllime mjekësore.
Top Channel