Por pavarësisht legalizimit, janë vetë mjekët që konfirmojnë se tregu i zi ka shumë përparësi në Maqedoni edhe pse është i gabuar. Pacientët e kërkojnë në tregun e zi vajin e kanabisit sepse kushton më pak.
“Pacientët përdorin vajrat ligjshëm për 2 muaj, shohin që ka vetëm përfitime të vogla, dhe pastaj e provojnë nga tregu i zi për të parë se si do t’u shkojë. Zakonisht qëndrojnë te tregu i zi më pas, fatkeqësisht. Tërheqja kryesore është çmimi. Janë më lirë në tregun e zi sepse s’kanë rregullime e taksa, thjesht diçka që njerëzit e shesin. Nuk bëhen në laboratorë, nuk u testohet cilësia. Prandaj shkon më lirë”, tregon Davor Angelovski, Mjek, Maqedoni e Veriut.
“Nëse blen në tregun e zi, s’do të jesh kurrë i sigurtë se çfarë po blen. Sepse jemi të gjithë ndryshe për sa i përket sistemit të kanabinoidit. Pra, s’mund ta dish se çfarë kanabinoidi do të funksionojë për organizmin”, tregon Kostandin Dukovski, Kryetar i Shoqatës së Kanabisit, Maqedonia e Veriut.
Vaji i kanabisit në tregun e zi në Maqedoninë e Veriut, është më i lirë se ai që shitet në farmaci. Në tregun e zi mund ta gjesh edhe me 100 euro ndërsa në farmaci kushton plot 200 euro.
Referuar ndikimit social që ka legalizimi i kanabisit, Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, thotë se të gjithë pacientët me sëmundje të rënda do të trajtohen dhe kurohen në mënyrë me dinjitoze.
“Hulumtimet mjekësore gjithnjë e më shumë përqendrohen në hulumtimin e efekteve të preparateve që përmbajnë kanabis. Deri më tani qartë janë përcaktuar më shumë indikatorë; para së gjithash përdoret kundër dhimbjes te pacientë me sëmundje onkologjike, pastaj te sëmundje neurologjike, multipleks sklerozë dhe sidomos në trajtimin e epilepsisë, ku ka vërtetë efekt shumë të mirë. Ligji tani mundëson që një specialist neurolog apo specialist onkolog, të përshkruajë një preparat të këtillë dhe pacientët në mënyrë të drejtpërdrejtë t’i ndjejnë përfitimet”, tregon Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë, Maqedoni e Veriut.
Top Channel