Pësojnë shumë në pjesën e dytë, futbollistët e Milanit pa përgatitjen e duhur fizike

05/11/2019 16:10

Milani nuk po kalon një moment aspak të mirë këtë sezon dhe as ndryshimi në pankinë, me shkarkimin e Giampaolos dhe emërimin e Piolit, nuk ka sjellë ndryshimet e duhura, ndonëse tekniku i ri ka sjellë një modul të ri loje.

Së fundi kuqezinjtë u mposhtën 1-2 në “San Siro” nga Lazio, duke komplikuar totalisht objektivin sezonal, që është një vend në zonën Champions, ndërsa goli i Correas në minutat e fundit ka konfirmuar edhe një detaj të rëndësishëm.

Ai ishte goli i 15 që Milani pëson në këto 11 javë të parat, ndërsa vlen të theksohet se 11 prej tyre janë pësuar në pjesën e dytë dhe 9 në 30 minutat e fundit të lojës, shifra këto që konfirmojnë se kuqezinjtë nuk kanë përgatitjen e duhur fizike.

Në fakt, ashtu siç tregojnë edhe statistikat e golave, edhe në lojë vihet re qartë që kuqezinjtë humbin ritmin në minutat e fundit dhe për këtë shkak u shpëtoi fitorja nga duart në ndeshjen ndaj Lecces (gol në minutat shtesë) dhe humbën takimin ndaj Lazios.

Këto të dhëna janë një sinjal i qartë që përveç aspektit teknik e taktik, Pioli duhet të shfrytëzojë maksimalisht ndërprerjen e kampionatit, për të rritur ngarkesën fizike te lojtarët e tij, që duket se nuk janë përgatitur si duhet gjatë verës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA