Ditët e fundit Reali i Madridit ka qenë në qendër të zërave të merkatos. Fillimisht u fol se klubi madrilen po përgatitet t’i ofrojë Manchester City-t 80 milionë Euro dhe kartonin e Bale për Raheem Sterling, ndërkohë që tani në listën e dëshirave të tij është shtuar edhe emri i Jadon Sancho nga Borussia Dortmund.
Sipas tabloidit ‘Daily Mail’, Borussia e Dortmundit ka nisur kërkimet për të gjetur zëvendësuesin e sulmuesit 19 vjeçar anglez i cili ka bërë që Reali i Madridit të rikthejë vëmendjen në drejtim të këtij futbollisti që është një prej talenteve më premtues në futbollin botëror.
Në fakt Reali i Madridit e ka bërë edhe më parë tentativën e tij për Sancho kur lojtari vendosi të lërë Manchester City duke zgjedhur në fund kampionatin gjerman, një zgjedhje kjo që rezultoi të ishte e duhura për të duke parë moshën e nivelin dhe faktin sesi lojtarë si Phil Foden nuk ka të njëjtat mundësi për të luajtur sic i ka ai në Signal Iduna Park
‘Daily Mail’ bën të ditur se Reali i Madridit është gati të ofrojë 116 milionë Euro për kartonin e Sanchos, që për hir të së vërtetës ka tërhequr vëmendjen edhe të klubeve të tjerë evropiane sidomos të Manchester United që është zhytur në një krizë të thellë dhe vetëm blerja e një ylli të futbollit mund të qetësojë tifozerinë e Djajve të Kuq.
Shqetësimi i futbollistit përsa i përket një transferimi te Manchester United ka të bëjë men faktin se Djajtë e Kuq nuk e kanë të garantuar praninë në Ligën e Kampioneve. Një tjetër klub që interesohet për Jadon Sancho është edhe Paris Saint Germaini, ndërkohë që edhe vetë Manchester City vazhdon të monitorojë futbollistin. Klubi kampion i Anglisë në fakt në momentin që lejoi largimin Sanchos, përfshiu në akordin me Dortmundin një klauzolë sipas së cilës gjermanët do të duhet të njoftojnë Citizens nëse do të marrin oferta për të në mënyrë të manchester city të fitojë mundësinë për të barazuar ose kaluar atë ofertë.
Top Channel