Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë theksoi se taksa ndaj Serbisë nuk duhet të hiqet pa ndodhur njohja e Kosovës nga ky shtet fqinj, teksa shtoi se e pëlqen idenë e reciprocitetit për çështje të tjera.

Haradinaj po ashtu vlerësoi se taksa, e vendosur një vit më parë ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, ka qenë e dobishme për ekonominë e Kosovës dhe konsolidimin e shtetit.
“Unë e pëlqej idenë e reciprocitetit, por nuk duhet të ketë implikim në taksë, le të mbetet taksa, sepse me Serbinë ky është një dënim. Të vendoset reciprociteti për aspekte të tjera, sepse ka edhe aspekte të tjera. Mirëpo, unë nuk e kuptoj pse duhet hequr taksën. Pra, habitem me qëndrimin e kujtdo që i kthen mallrat serbe ose e pushton Kosovën ekonomikisht nga Serbia pa e marr njohjen. Është një gabim kapital politik dhe kushdo që shkon asaj rruge do të bëjë gabim të madh, vendit dhe proceseve”, deklaroi Haradinaj.
Qeveria Haradinaj nëntorin e vitit të kaluar vendosi masën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja, duke thënë se taksa do të hiqet vetëm pasi Serbia të njohë Kosovën

Top Channel