Seanca paraprake për Nadir Çausholli, administratorin e kompanisë CFO Pharma, u shty për në datën 13 nëntor.

Shkak, është bërë mosparaqitja e këtij të fundit gjatë seancës, me gjyqtar Albert Meçen. Prokurori Kreshnik Ajazi, e ka marrë Çaushollin të pandehur për mashtrimin që ai bënte me ilaçin soludamin, duke e shitur 18 herë më shtrenjtë nga sa ishte përcaktuar nga Agjensia Kombëtare e Barnave.

Në dosjen e prokurorisë, rezulton që mbi Nadir Çaushollin, rëndojnë tre akuza për veprat penale të “Mashtrimit” kryer më shumë se një herë, “Manipulim i tregut” dhe “Falsifikim i vulave, stampave ose formularëve”, kryer më shumë se një herë.

Prokuroria thotë se Çausholli ka falsifikuar vulat e Agjensisë së Barnave. Prova kryesore e këtij hetimi, kanë qenë investigimet e realizuara nga Top Channel, ku u zbulua dhe denoncua publikisht mashtrimin që Çausholli i bënte qytetarëve duke iu shitur të sëmurëve me veshka ilaçin soludamin, shumë më shtrenjtë nga sa e përcaktojnë institucionet përkatëse.

Për këtë mashtrim, Agjencia Kombëtare e Barnave, e ka gjobitur Nadir Caushollin dhe kompaninë e tij CFO Pharma, me 56 milionë lekë, por kjo çështje tashmë është edhe në dorë të drejtësisë. Prokuroria po ashtu ka kqyrur dhe marrë në cilësinë e provave materiale, kutitë e ilaçit soludamin, mbi të cilat kanë qenë vendosur pullat e falsifikuara me një çmim të tjetërsuar. Po ashtu janë kontrolluar katër farmaci ku është tregtuar ilaçi “Soludamin” si dhe janë kqyrur të dhënat elektronike.

Konkluzioni përfundimtar i prokurorisë është se veprat penale janë kryer me dashje direkte sepse subjekti i veprës penale, në këtë rast Nadir Çausholli, e ka kuptuar karakterin e kundërligjshëm të veprimeve të tij dhe megjithatë ai me vetëdije i ka kryer ato.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA