Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryeministrit në qeverinë e ardhshme.Pas takimit dy orë e gjysmë mes grupeve punuese të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Glauk Konjufca nga VV tha se mandatari për kryeministër do të jetë prej subjektit që ka fituar më së shumti vota.

“Sa i përket kryeministrit mendoj që kurrë nuk është kontestuar fakti… Prej atij momenti kur nuk është arritur marrëveshja, ne popullit ia kemi shpjeguar që tash kryeministri zgjidhet prej popullit. Tashmë është e qartë që faktikisht që mandatari për kryeministër do të jetë prej subjektit që ka fituar më së shumti vota”, tha Konjufca.

Ndërsa, për postet ministrore, Konjufca theksoi se ende nuk është caktuar një takim në të cilën do të diskutohet lidhur me këtë çështje, ndërsa sa i përket përplasjeve të fundit ndërmjet VV dhe LDK, u shpreh se nuk kanë biseduar për këtë çështje.

“Të gjitha këto që kanë dalë janë forma të shprehjes, të cilat as nuk janë diskutuar në këtë takim. Në momentin që dy subjektet politike tona kanë thënë që numri i ministrive do të reduktohet prej 21 deri në 12, ne kemi diskutuar për masat që do të ndërmerren, dhe jo për emrat”, tha ai.

Konjufca ka bërë të ditur se në takimin e sotëm të dyja grupet punuese kanë biseduar enkas për shëndetësinë dhe arsimin, teksa bëri të ditur se kanë caktuar takimin e ardhshëm ku do të flitet vetëm për politikat sociale.

“Mund të them që ka qenë një takim i cili është zhvilluar në një pajtueshmëri shumë të thellë të bashkëpunimit. Është një takim në të cilin kemi pasur pajtueshmërinë më të madhe. Diku për secilën fushë janë trajtuar së paku 10 tema thelbësore dhe në të cilat kemi gjetur pajtueshmëri të plotë. Mund të them që mospajtimet kanë qenë sa i përket çështjeve teknike dhe kohore se për sa kohë jemi në gjendje t’i realizojmë premtimet”, tha ai.

Në fund Konjufca paralajmëroi se për 10 ditë do të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë së ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA