Hetimet e nisura në muajin prill të vitit 2018 kundër një shtetasi italian me banim në Durrës janë mbyllur me sekuestrimin e pasurisë që arrin deri në 750 mijë euro. Pasuritë janë të shtetasit Italian Ferdinando Muollo, 56 vjeç, i dënuar me 8 vite burg në Itali, si pjesë e konflikteve mes klaneve kriminale dhe si porositës i një vrasjeje.
Në këtë hetim, krahas bashkëpunimit ndërinstitucional ka patur bashkëpunim me partnerët italianë, si dhe ndërmjet Prokurorisë së Durrësit dhe të Napolit.
Prokuroria e Napolit, në përgjigje të kërkesës për asistencë ligjore të Prokurorisë Durrës, konfirmoi se shtetasi Italian F. M., 56 vjeç, lindur në Itali dhe banues në lagjen nr. 13, në Plazh Durrës, me shtetësi dhe kombësi Italiane është i dënuar nga autoritetet e drejtësisë italiane, si pjesë e klaneve kamorriste në zonën e Napolit, Itali.
Shtetasi italian Ferdinando Muollo ishte me leje qëndrimi në Shqipëri dhe ushtronte aktivitetin tregtar si vijon:
Në vitin 2012 ka regjistruar shoqërinë sh.p.k, me objekt prodhimi dhe tregtimi i medikamenteve dhe pajisjeve dentare, në Tiranë, me 50 % të aksioneve në pronësi të tij.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt prodhimi dhe tregtimi i pajisjeve mjekësore-kirurgjikale për larje dhe dezinfektim ambientesh, ku 45 % të kuotave i posedon Ferdinando Muollo.
Në vitin 2015 ka regjistruar shoqërinë me objekt laboratore dentare, ku Ferdinando Muollo ka 30 % të kuotave.
Më datë 29 tetor 2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës miratoi kërkesën e prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës dhe vendosi sekuestron preventive të pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të shtetasit Italian F. M., vlera e të cilave paraprakisht përllogaritet 750 000 euro.
Këto pasuri përfshijnë:
Strukturat e Hetimit të Krimeve Ekonomike e Financiare në Durrës kryen veprimet procedurale për sekuestrimin preventiv të pasurive të mësipërme.
Aktualisht, strukturat për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar po punojnë në bashkëpunim me administratorët e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e Konfiskuara, për t’i kaluar në administrim të tyre, në bazë të ligjit “Për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara”.
Top Channel