Seria A do të vijojë sot me takimet e javës së 11, teksa gjithçka do të startojë në orën 12:30 në “Gewiss Stadium”, ku skuadra e Atalantës do të presë një tjetër ekip mjaft në formë të këtij sezoni, Cagliarin.
Bergamaskët vijnë në një moment vërtetë të mirë në kampionat dhe aktualisht renditen në vendin e katërt me 21 pikë, por në rast fitoreje sot mund të ngjiten në kuotën e 24 pikëve, vetëm 5 larg Juventusit kryesues.
Nga ana tjetër, edhe Cagliari po tregon një tjetër nivel këtë sezon dhe pas 10 javëve të para e sheh veten në kuotën e 18 pikëve, po aq sa kanë edhe Napoli e Lazio, ndërsa në Sardenjë u është hapur oreksi për të pretenduar një vend në Europë.
Në orën 15:00 Genoa do të kërkojë suksesin e dytë nën drejtimin e Thiago Mottës, këtë herë në shtëpi përballë Udineses, me këtë të fundit që vjen në një moment krize rezultatesh dhe sapo ka shkarkuar trajnerin kroat Igor Tudor.
Pop në orën 15:00, në “Bentegodi” do të ketë edhe një derbi shqiptarësh, pasi Verona e Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit do të përballet me Brescian e Emanuele Ndojit, me këtë të fundit që la pas dëmtimin dhe debutoi në Serinë A në takimin përballë Interit të martën.
Veronezët vijnë në një moment mjaft të mirë pas fitores në transfertën e vështirë të Parmës dhe kanë arritur të grumbullojnë 12 pikë në këto javë të para, duke u pozicionuar në mesin e artë, ndërsa Brescias nuk i kanë mjaftuar paraqitjet e mira, pasi vijon të jetë në zonën e rënies, me vetëm 7 pikë të grumbulluara.
Në orën 18:00 vëmendja do të spostohet në “Artemio Franchi”, ku Fiorentina do të presë Parmën, në një sfidë që premton spektakël dhe rivalitet, për vetë mënyrën e lojës që aplikojnë të dy ekipet.
Skuadra vjollcë vjen pas një fitoreje me përmbysje në transfertën ndaj Sassuolos, ndërsa Parma pas një hapi fals në shtëpi përballë Veronës, por në takimin e sotëm favoritë për tre pikët janë vendasit.
Në mbrëmje vëmendja do të spostohet në “San Siro”, ku Milani i Piolit do të kërkojë suksesin e dytë radhazi për të dalë njëherë e mirë nga kriza e rezultateve, ndonëse përballë do të ketë një kundërshtar për t’u respektuar si Lazio.
Kuqezinjtë gjetën fitoren e parë të erës Pioli të enjten në mbrëmje kur mposhtën Spalin 1-0, ndërsa Lazio vjen në një moment mjaft të mirë me dy fitore radhazi në kampionat, për më tepër ndaj dy kundërshtarëve si Fiorentina e Torino.
Top Channel