Kryeministri britanik Boris Johnson ka hedhur poshtë ofertën për aleancën për Brexit të bërë nga Najxhell Farazh, kryetar i “Partisë Brexit”, e cila në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian arriti një rezultat spektakolar ndaj dy partive kryesore, Konservatorëve dhe Laburistëve.

“Babai” i Brexit i kërkoi kryeministrit Johnson të hiqte dorë nga marrëveshja e fundit me BE ose përndryshe partia e tij do të konkurronte në të gjitha zonat elektorale në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen më 12 dhjetor, përcjell nga Londra, gazetari i Top Channel, Arben Manaj.

Në një intervistë televizive të dhënë sot, kryeministri britanik Boris Johnson, i tha “JO”, ofertës ose ultimatumit të bërë një dit më parë nga ai që njihet si “babai” i Brexit, Nigel Farage, udhëheqësi i partisë së re me të njëjtin emër, Partia Brexit.

Ky i fundit i kërkoi kryeministrit dhe Partisë Konservatore të hiqnin dorë nga marrëveshja e arritur së fundmi me Brukselin për Brexitin, ose përndryshe ai kërcënon se në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të 12 dhjetorit, partia e tij do të konkurronte në të gjitha zonat elektorale, në mbarë Britaninë.
Refuzimi i kryeministrit Johnson erdhi edhe përkundër kërkesës dhe ndërhyrjes në fushatë të bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, në një intervistë dhënë mikut të tij, Nigel Farage, i cili drejton një emision politike në radion LBC, ditë më parë, kur Trump kërkonte një aleancë mes Farage dhe Johnsnon, për të mundësuar Brexitin.

Partia Brexit pati një rezultat të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian duke marrë vota nga përkrahës të Konservatorëve në pushtet dhe Laburistëve të opozitës.

Spekullohet se vota që mund të marrë partia Brexit do të dëmtojë më shumë Konservatorët e Johnsonit dhe një gjë e tillë mund të sjellë opozitën Laburiste të Jeremy Corbyn në pushtet.

Ndërkohë, nuk dihet nëse votat e përkrahësve të opozitës për partinë e Brexit mund të dëmtojnë opozitën.

Fushata elektorale sapo ka filluar dhe nuk përjashtohen mundësitë për aleanca të reja në të dyja krahët në zgjedhjet e 12 dhjetorit, që mesa duket do të jenë më shumë zgjedhje për të parë se cila parti do të ketë më shumë deputet, që janë pro Brexit, me parlamentin e ardhshëm dhe cila do të jetë më shumë pro qëndrimit të mëtejshëm të Britanisë në BE.

Arben Manaj

Top Channel