Ministria turke e Mbrojtjes thotë se të paktën 13 njerëz u vranë nga një makinë bombë pranë një tregu të shtunën në qytetin kufitar verior të Tal Abyadit.
Askush nuk e mori menjëherë përgjegjësinë, por ministria fajësoi Njësitë për Mbrojtjen e Popullit Kurdë të Sirisë (YPG), pjesë përbërëse e Forcave Demokratike Siriane (FDS).
Ministria gjithashtu u bëri thirrje liderëve botërorë të mbajnë qëndrim kundër grupit YPG, duke e cilësuar atë si një “organizatë të ashpër terroriste”.
Turqia e ka përkufizuar YPG-në si një grup terrorist, por Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë atë një aleat kryesor në luftën kundër Shtetit Islamik.
Ankaraja mori kontrollin e qytetit Tal Abyad muajin e kaluar pasi ushtria turke dhe milicia e saj aleate siriane nisi një inkursion ushtarak në Sirinë verilindore kundër FDS, pas vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e trupave amerikane nga rajoni.
Një zonë e sigurt prej 120 kilometrash u krijua në Siri mes qyteteve Tal Abyad dhe Ras al-Ain, si pjesë e një marrëveshje armëpushimi të 17 tetorit mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara që gjithashtu kërkon tërheqjen e grupit YPG nga zona.
Këshilli Ushtarak Sirian, i cili është pjesë e FDS-së, tha të shtunën se, “FDS vazhdon operacionet e saj të ligjshme mbrojtëse kundër sulmeve të vazhdueshme të ushtrisë turke dhe fraksioneve të saj xhihadiste në zonat lindore dhe jugore të Ras al-Ain , veçanërisht në zonën Khabour dhe fshatrat rreth Tal Tamrit “.
Të premten, trupat turke dhe ruse filluan patrullimin e përbashkët në veri të Sirisë për të siguruar tërheqjen e forcave kurde.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se operacioni, përpara se të arrihej marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë për të ndalur zjarrin, vrau qindra njerëz dhe zhvendosi gati 180,000 të tjerë.
Mjekët lokalë në veri-lindje të Sirisë i thanë Zërit të Amerikës se civilët kanë vazhduar të vriten dhe plagosen që kur armëpushimi hyri në fuqi.
“Megjithëse marrëveshja e armëpushimit është nënshkruar midis Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë, si dhe Rusisë dhe Turqisë, luftimet nuk kanë të ndalur për një sekondë,” tha Hassan MI Memmed, drejtuesi i Spitalit Tal Tamr. “Përkundrazi, sulmet janë bërë më të egra dhe më të dhunshme”, shtoi zyrtari.
Ai shprehu shqetësimin e tij se spitalet në rajon po mbaronin furnizimet mjekësore pasi numri i viktimave vazhdonte të rritet./VOA
Top Channel