Atentati në Shkozet/ Akuzat e Ramës dhe Braçes ndaj Ndojit, PD kërkoi hetim për dy zyrtarët e lartë

01/11/2019 17:57

Pas akuzave që iu bënë në fillim të muajit tetor prokurorit Arjan Ndoj, nga Erjon Braçe dhe Edi Rama, Partia Demokratike kërkoi nisjen e hetimeve për dy zyrtarët e lartë të Qeverisë.

  Atentati ndaj Arjan Ndojit/ Kryeministri e përfshiu në grupin “KÇK”, akuza edhe nga Braçe

Kanë qenë dy reagime të ish-deputetit Enkelejd Alibeaj, ku kryeministri dhe zv/kryeministri akuzoheshin për shantazhe dhe presion ndaj drejtësisë.

Sot, ndaj makinës me të cilën udhëtonte Arjan Ndoj, në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, u realizua një atentat. Si pasojë e plumbave, mbeti i plagosur prokurori dhe dy personat të cilët e shoqëronin, Landi Muharremi dhe Andi Maloku.

  Petrit Vasili: Rama e mbajti fjalën, Arjan Ndoja u ndëshkua me plumb

Deklarata e parë e Alibeajt

Presioni i Qeverisë nga Kryeministri tek Zëvendëskryeministri ndaj prokurorisë dhe gjykatës që kanë urdhëruar arrestimin e Drejtorit të Kadastrës në Durrës, është kriminal. Kërcënimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve me vetting për çështje konkrete është prova e gjallë sesi Edi Rama po përdor vettingun për të kërcënuar e shantazhuar gjyqtarë e prokurorë, që të mos hetojnë krimet e tij dhe të Qeverisë së tij.

Veprimet e prokurorit të çështjes u gjetën ligjërisht korrekte nga gjykata. Magjistratja Besjana Garxenaj, e emëruar në 10 Shkurt 2017, tregoi integritet profesional, duke mos iu nënshtruar presionit kriminal, të padëgjuar më parë, në sallën e gjyqit nga Zëvendëskryeministri Erjon Braҁe. Drejtuesi i korruptuar i Kadastrës në Durrës, që është arrestuar me vendim gjykate, është kushëriri dhe i emëruari i Erjon Braҁes, i cili ka vënë qeverinë në funksion të hallit të tij dhe për të mbrojtur një zyrtar të akuzuar për korrupsion.

Edi Rama ka dy standarde për drejtësinë. Jo më larg se mbrëmë ai refuzoi të komentojë për Saimir Tahirin, me pretekstin se çështja nuk quhet e mbyllur nga drejtësia. Ndërsa për të korruptuarin e tij në Kadastrën e Durrësit, ai e sulmoi drejtësinë, kërcënoi hapur prokurorin e çështjes dhe shantazhoi gjykatën.

Partia Demokratike bën thirrje për nisjen menjëherë të hetimeve ndaj Edi Ramës dhe Erion Braçes për ushtrim të ndikimit të paligjshëm tek prokurorët dhe gjyqtarët në vend, si dhe shantazhimin që ai bën me procesin e vettingut për çështje individuale dhe konkrete. Presione të tilla tregojnë para shqiptarëve se përse të pushtetshmit janë të paprekshëm dhe pse nuk ndëshkohet korrupsioni i bandës që drejton vendin.

Deklarata e dytë e Alibeajt

Dje dhe sot, Erjon Braçe, bashkë me Edi Ramën, i bënë presion drejtësisë në sallën e gjyqit për të mbrojtur një zyrtar të emëruar nga vetë ata dhe që akuzohet për shpërdorim detyre nga një prokuror, që është në shërbim të bandave të Durrësit- citoj kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin e vendit.  Ajo që prisnin sot shqiptarët nuk ishte refreni i propagandës bajate se “fajin e ka opozita”. Shqiptarët prisnin sot, që Edi Rama të bënte kryeministrin dhe të kërkonte arrestimin e prokurorit që i shërben bandave, si dhe nxjerrjen para drejtësisë të këtyre bandave, të cilat ai i njohka, por nuk ua përmend emrin.

Është urgjente që Edi Rama të përgjigjet për disa pyetje që sot ia bën çdo shqiptar.

Cilës bande të Durrësit i shërben prokurori Arjan Ndoja?

Prej sa kohësh Edi Rama është në dijeni të faktit që Arjan Ndoja punon për bandat dhe jo për shtetin?

Pse heshti Edi Rama dhe Erjon Braçe deri më sot dhe nuk dolën përpara se të arrestohej njeriu i tyre në Kadastrën e Durrësit?

Pse nuk e arreston prokurorin që i shërben bandës dhe bandën që mbështet prokurorin?

Pjesëmarrja e paprecedente e një zëvendëskryeministri në një seance gjyqësore dhe shantazhi publik nuk i shërben as ligjit, as të vërtetës, as drejtësisë. Ajo është vetëm propagandë që mbron bandat, me të cilat Edi Rama blen vota dhe mban në këmbë pushtetin e tij.”

  Në makinë me prokurorin, kush është i plagosuri Muharremi? I përfshirë në dhunën ndaj biznesmenit libanez

Top Channel