Më në fund po lëvizin gjërat në Britaninë e Madhe. Atje është hapur rruga për zgjedhje të reja, ndërsa afati për dalje nga Bashkimi Evropian është shtyrë. Ky është një shans i mirë, mendon Charlotte Potts.

Këtë gjendje nuk mund ta shikonte më askush. Korrespondentët në Londër nuk e dinin më se çfarë të raportonin për zhvillimet në Parlamentin britanik, ndaj raportonin për gjërat që nuk do të ndodhin. Nuk ka Brexit, nuk ka referendum, nuk ka mbetje në Bashkimin Evropian, nuk ka zgjedhje… deri tani. Por më në fund u vendos që gjërat të lëvizin në Mbretërinë e Bashkuar. Më 12 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e parakoshme, të cilat mund ta nxjerrin vendin nga gjendja vendnumëro, që po zgjat prej dy vitesh. Zgjedhjet janë një shans shumë i madh për britanikët dhe Britaninë, për disa shkaqe:

Në Parlament duhet të ketë një shumicë

(1) Parlamenti pa një shumicë nuk mund të funksionojë. Theresa May është fajtore për këtë. Ajo ka shpallur papritur zgjedhjet e reja në vitin 2017 dhe për vetëm gjashtë javë të fushatës, e ka humbur epërsinë e pritur në sondazhe. Parlamenti ishte i bllokuar dhe ajo më në fund u detyrua të tërhiqet. Në vend të saj erdhi Boris Johnson. Por Parlamenti britanik nuk e ka shumicën, ndërkohë që kryeministri Johnson nuk ka fituar kurrë votën e popullit në zgjedhje. Vetëm votat e partisë së vet. Tani Boris Johnson duhet të dalë para 45 milionë britanikëve dhe të kërkojë votën.

(2) Zgjedhjet e reja ofrojnë një shans të madh për britanikët, që më 12 dhjetor t’i sqarojnë gjërat. Tre vjet pas referendumit, populli e di tani, se cilat do të jenë pasojat ekonomike dhe politike të Brexitit. Zgjedhjet e reja janë de facto një referendum i dytë për daljen apo jo të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, sepse tema kryesore e fushatës do të jetë Brexiti. Ndaj zgjedhësit do të votojnë pro apo kundër forcave që e mbështesin daljen nga BE.

Shumica e partive janë pozicionuar shumë qartë: Tories janë për dalje nga BE, sipas marrëveshjes së Johnsonit. Këtë e mbështesin edhe ata që mbajnë një politikë edhe më të ashpër ndaj BE. Liberalët janë kundër Brexitit dhe mendojnë se vendi duhet të mbetet në BE. Të njëjtën politikë ndjekin edhe nacionalistët e partisë skoceze SNP. Tani është me rëndësi që si duhet të organizohen laburistët, si partia më e madhe opozitare. Dhe të bëjë të qartë se e mbështet daljen, por duke ruajtur raporte shumë të ngushta me BE-në.

Udhëheqësi i opozitës, Jeremy Corbyn e ka humbur shansin për një referendum të dytë, si një alternativë të qartë ndaj kursit të Brexitit. Mungesa e vendosmërisë i ka kushtuar shumë vota. Zgjedhësit në dhjetor do të vendosin: A duan ta mbështesin kursin e Boris Johnsonit për Brexit? Apo pas tre vitesh kaosi me Brexitin, do të mbështesin partitë proevropiane?

Sqarimi i gjërave

(3) Britania e Madhe dhe zgjedhësit duan që gjërat të sqarohen. Pasiguria dhe ecejaket e shumta e kanë bllokuar Britaninë e Madhe. Gati çdo ditë po largohet nga Britania ndonjë sipërmarrje e madhe. Të interesuarit për imobilie më nuk blejnë por marrin me qira objekte, sepse nuk janë të sigurtë se çfarë do të ndodhë. Njerëzit po kujdesen për ndihmat e tyre sociale, ndërsa disa britanikët ka kohë që kanë nisur të grumbullojnë rezerva të produkteve të ndryshme, që iu duhen në rast daljeje nga BE. Shtetasit e vendeve të BE në Britani të Madhe janë të shqetësuar me shtyrjet e shumta. Parlamentarët po përballen me kërcënime me vdekje, për shkak të angazhimeve të tyre – për mbetje apo dalje nga BE. Ndërkohë që është shtuar numri i votuesve që janë lodhur nga Brexiti dhe kanë probleme psiqike. Shkurt: Populli është lodhur nga Brexiti, ndërsa vendi është përçarë. Tani kërkohet sqarim. Pavarësisht faktit që kjo mund të thotë edhe largim nga BE.

Mos më keqkuptoni, sepse unë personalisht jam një evropiane e betuar, jetoj në Londër me familje dhe do të dëshiroja që Britania e Madhe të mbetet në BE. Por shtyrjet e pafundme sjellin vetëm kokëçarje, sepse askush nuk e di se cili do të jetë hapi tjetër. Zgjedhjet e reja janë rruga e vetme për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje. Kaq sa i përket teorisë. Por në realitet gjendja mund të jetë krejt ndryshe, nëse prap nuk kemi ndonjë shumicë të qartë. Ndaj duhet të përgatitemi edhe për mundësinë e vazhdimit të lojës së paqartë.dw

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA