Zgjidhja e krizës politike, ja çfarë thotë Yuri Kim në Komisionit për Politikën e Jashtme në Senatin Amerikan

30/10/2019 00:15

E përzgjedhura e Presidentit Donald Trump për ambasadore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim doli para Komisionit për Politikën e Jashtme në Senatin Amerikan ku tregoi për prioritet e saj në Tiranë.

Yuri Kim u fokusua në tre pika kryesore. Fillimisht, tha ajo do të inkurajoj Shqipërinë të vijojë me kursin e qëndrueshëm për të arritur në 2% të investimeve në fushën e mbrojtjes deri në vitin 2024, që kështu Shqipëria të jetë edhe më e fuqishme dhe e aftë si aleate.

Yuri Kim theksoi si pikë të dytë zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. “Do të vazhdoj të promovoj zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Në terma të menjehërshëm, unë do të shtyj drejtuesit e Shqipërisë për të zgjidhur ngërçin aktual politik”, u shpreh Kim.

Së treti, ajo tha se do të punojë për të promovuar eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri në mënyrë që të sigurohen mundësi për qytetarët e SHBA-së dhe Shqipërisë, si dhe të krijohen vende pune në të dyja shtetet. Po ashtu ajo tha se do të mbetet e angazhur për të permbyllur reformën në drejtësi dhe krijimin e strukturave të reja anti korrupsion, SPAK dhe Byronë Kombëtare të hetimit.

“Ne kemi miq të fuqishëm dhe besnikë në Shqipëri, dhe është e domosdoshme që ne mbajmë pranë miq si Shqipëria, veçanërisht përballë sfidave strategjike ndaj interesave, vlerave dhe institucioneve të përbashkëta”, u shpreh Kim. Sipas kandidates për ambasadore në Tiranë, problemi dhe rreziku më i madh për Shqipërinë nuk paraqitet nga Rusia, por nga Kina. Yuri Kim u pyet nga senatorët edhe për muxhahedinët që jetojnë në Shqipëri.

“Kemi punuar shumë afër me Qeveritë shqiptare. Janë 3 mijë persona që jetojnë në periferi të kryeqytetit. Synimi ynë numër një është që ata të jenë të sigurtë, por edhe të integrohen në Shqipëri, si dhe të jenë qytetarë produktivë”, tha kandidatja për ambasadore.

Po ashtu ajo u pyet edhe për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidatin e ardhshëm për kryeministër, Albin Kurti. E pyetur nga një senatore, mbi deklaratën e Kurtit “për një integrim edhe më të madh midis Kosovës dhe Shqipërisë, ç’ka ka shkaktuar shqetësime te Serbia, ajo tha se “Nuk ka dyshim që SHBA mund të luajë një rol të madh në zgjidhjen e kësaj çështje.

SHBA ka bërë investime të madha në rajon duke sjellë paqe dhe po punon me shtetet që të qëndrojnë të pavarura, në paqe dhe të punojnë si skuadër. Ndryshimi i kufijve nuk është i dobishëm”, theksoi kandidatja për ambasadore në Shqipëri.

Top Channel