Grupet e të drejtave të njeriut përfshirë “Amnesty International” dhe organizatën “Mjekët pa kufij” e cilësuan një projekligj mbi emigracionit që po diskutohet në parlamentin grek si “jashtëzakonisht të dëmshëm” për azilkërkuesit që ndodhën në një situatë të vështirë.
Organizatat thanë të martën se projektligji ofron rregulla më të rrepta për pranimin e azilkërkuesve, ai zvarrit mundësitë që ata të përfitojnë nga e drejta e tyre për t’u punësuar, ngushton përkufizimin se çfarë nënkupton familje si dhe rrit barrën ndaj viktimave të torturës që të njihen si të tillë.
Eva Cosse, që punon për Human Rights Watch në Greqi, thotë se ligji i ri “është një përpjekje e hapur për të bllokuar qasjen tek mundësitë për të kërkuar mbrojtje si dhe rrit dëbimet” ndërsa është rritur numri i të ardhurve.
Greqia është kthyer edhe një herë në pikën kryesore të hyrjes për të gjithë ata që kërkojnë azil në Evropë, duke paraqitur një sfidë për qeverinë konservatore të Kyriakos Mitsotakis që mori pushtetin në muajin korrik.
Sipas “Human Rights Watch” vetëm këtë vit mbi 53 mijë azilkërkues kanë mbërritur në ishujt grekë nga Turqia, shifër më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të 2018-s kur u regjistruan 42 mijë të ardhur.
Megjithë zhvendosjet, ende mbi 34 mijë persona jetojnë në kushte tejet të vështira në kampet e ngritura në ishujt grekë, thotë organizata “Human Rights Watch”.
Duke u përballur me një akumulim të madh prej mbi 70 mijë kërkesash për azil, qeveria është zotuar të forcojë përgjigjen ndaj fenomenit duke rritur numrin e patrullave për të parandaluar anijet e emigrantëve si dhe parashikon që vitin e ardhshëm të kthejë mbrapsht në Turqi mbi 10 mijë persona.
“Vala e refugjatëve dhe emigrantëve ekonomikë kanë rrethuar tashmë vendet evropiane”, tha zoti Mitsotakis në fillim të këtij muaji.
Të martën ai tha se Greqia “nuk mund të përballojë problemet e tre kontinenteve” në lidhje me emigracionin.
Eleni Takou, zëvendës drejtore e grupit të shoqërisë civile “HumanRights360”, kritikoi të martën gjuhën e qeverisë konservatore për këtë çështje duke e cilësuar atë “toksike” dhe tha se nxit intolerancën.
Javën e kaluar banorët e fshatit Nea Vrasna në pjesën veriore të Greqisë qëlluan me gurë autobusët që transportonin rreth 400 emigrantë, duke detyruar autoritetet që t’i zhvendosin ata me qindra kilometra në jug të vendit.
Penteli që ndodhet në periferi të Athinës ka refuzuar të lejojë një grup të miturish të pashoqëruar të vendosen në një spital të braktisur./VOA
Top Channel