Vendim është jo më pak se historik: Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA i klasifikon masakrat e armenëve gjatë Luftës së Parë Botërore si gjenocid. Për vendimin votoi një shumicë e qartë.
Rezoluta përkatëse u miratua me 405 pro dhe 11 vota kundër. Në të thuhet se SHBA njeh gjenocidin ndaj armenëve dhe dënon vrasjen e 1.5 milion armenëve nga Perandoria Osmane. Është hera e parë që Kongresi Amerikan i ka quajtur gjenocid masakrat e vitit 1915-1917. Turqia, si pasardhëse e Perandorisë Osmane, deklaroi se qeveria dhe njerëzit e konsideruan rezolutën “plotësisht të pavlerë”.
Qeveria në Ankara e pranon vdekjen e 300.000 deri në 500.000 armenëve gjatë luftës, por kundërshton rreptësisht kategorizimin si gjenocid. Gjatë Luftës së Parë Botërore, armenët u përndoqën sistematikisht dhe u dërguan, përveç të tjerash, në marshime të vdekjes në shkretëtirën siriane. Historianët flasin për qindra mijëra deri në 1.5 milionë viktima.
“Hap pa kuptim politik”
Ministria e Jashtme turke tha se rezoluta me sa duket është “shkruar dhe publikuar për konsum të brendshëm” dhe nuk ka “bazë historike ose ligjore”. Ajo nuk është juridikisht detyruese dhe një “hap politik pa kuptim” që u drejtohet “grupeve lobiiste armene dhe grupeve anti-Turqi”. Ministria e Jashtme Turke thirri për shkak të rezolutës ambasadorin amerikan David Satterfield. Një arsye tjetër për këtë masë, sipas kësaj janë edhe sanksionet e SHBA kundër Ankarasë, të vendosura pas ofensivës ushtarake turke në Siri.
Gjenocidi ndaj armenëve
Veprimet e ushtrisë turke kundër kurdëve në veri të Sirisë kanë dëmtuar së fundi rëndë marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Uashingtonit. Dhe këtu e sheh Ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu motivin e vërtetë për votimin e Kongresit.”Rezoluta e vjetëruar” është hakmarrje për ofensivën ushtarake turke në veri të Sirisë, shkroi Cavusoglu në twitter. “Qarqe që besojnë se mund të marrin hak në këtë mënyrë gabohen.”
Franca ishte vendi i parë i madh evropian, që në vitin 2001 i kategorizoi si gjenocid masakrat ndaj armenëve në Perandorinë Osmane. Bundestagu Gjerman e bëri këtë në qershor 2016 dhe kjo shkaktoi një krizë serioze diplomatike me Turqinë. Edhe Rusia, Zvicra dhe Holanda dhe më shumë se një dyzinë shtetesh të tjera ndërkohë e konsiderojnë masakrën kundër armenëve si gjenocid. Republika e Armenisë në Kaukazin e Jugut ka kohë që po bën thirrje që Turqia t’i pranojë si një gjenocid aktet mizore./DW
Top Channel